Agron Duka për deputetët e rinj: Janë produkte OMGJ

Shqipëria

Agron Duka për deputetët e rinj: Janë produkte OMGJ

Më: 28 mars 2019 Në ora: 22:03
Agron Duka

Përçarjen mes opozitës, Agron Duka i PAA-së e quan thjesht një hamendësim, duke kundërshtuar kështu në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në emisionin “Open” të Eni Vasilit, atë që kishte thënë më herët Alfred Peza.

Por, sipas mendimit të kreut të Agrarëve, djegia e mandateve nuk është diçka e mirë. Grupet e reja parlamentare që pritet të krijohen në Kuvend me deputetë nga listat e PD-së dhe LSI-së, pasi tashmë janë plotësuar numrat për ta bërë diçka të tillë, zoti Duka i quajti “produkte OMGJ”.

“Ata kanë hyrë si anëtarë të një force politike dhe nuk mund të rrinë aty ndërkohë që forcat që i kanë përfshirë në lista janë jashtë. Por sistemi qendror zgjedhor ka sjellë këtë problem”, tha Duka.

Por, si do të sillej zoti Duka me kandidatët për deputetë nga PAA-ja, nëse do t’iu jepej mundësia të futeshin në Kuvend?

Ai deklaroi në emisionin “Open” se i ka këshilluar kandidatët për deputetë të partisë së tij të vendosin vetë nëse do të hyjnë apo jo në Parlament. Duka tha se është në një linjë me opozitën, por theksoi që ka vendosur të mos dalë në mitingje, pasi e shikonte veten jo shumë populist.

Në këtë moment pati një përplasje idesh mes Dukës dhe Pezës, me këtë të fundit që i quan të ligjshme emrat zëvendësues në Kuvend, ndërsa kreu i PAA-së i quajti të pamoralshme.

“Ne jemi në politikë dhe po flasim për të. Nëse do të flasësh për moral, atëherë shko merru me filozofinë”, tha Peza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat