Kryemadhi në Lushnje: Mungesa e subvencioneve, dëm të jashtëzakonshëm fermerëve

Shqipëria

Kryemadhi në Lushnje: Mungesa e subvencioneve, dëm të jashtëzakonshëm fermerëve

Më: 30 mars 2019 Në ora: 11:15
Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi takime në disa ferma bujqësore në zonën e Lushnjes në njësinë administrative Golem për të parë nga afër problematikat e fermerëve të zonës.

Gjatë këtyre takimeve konstatoi se ulja e subvencioneve për bujqësinë dhe mungesa e tregut për të shitur produktet e tyre kanë dëmtuar rëndë të gjithë fermerët e vendit.

Duke u ndalur te sera e një çifti të ri, të cilët pas studimeve universitare kishin vendosur kthimin në fshat për të investuar në bujqësi, por që për shkak të mungesës së mbështetjes kishin pësuar humbje, kryetarja e LSI, u shpreh se kjo situatë e shkaktuar nga mungesa e vizionit dhe dëshirës së institucioneve për të ecur përpara do të ndryshojë.

Ajo deklaroi se LSI do të ketë mbështetje prioritare për bujqësinë si një sektor që krijon punësim dhe të ardhura direkte në familjet shqiptare, ku një fokus të veçantë do kenë skemat e mbështetjes financiare nga ana e qeverisë për të rinjtë që do duan të investojnë në këtë sektor.

“Ne duhet ti ofrojmë shumë të rinjve dhe të rejave që të kenë mundësinë për të zhvilluar bujqësinë shqiptare, për të zhvilluar blegtorinë shqiptare, sepse nëpërmjet saj ne mund të zhvillojmë vendin dhe mund të zhvillojmë shumë oportunitete të reja për vende të reja pune, për ekonomi më të fortë dhe për ta zhvilluar më tej Shqipërinë ashtu siç e meritojmë”, tha Kryemadhi.

Sipas saj, bujqësia shqiptarë jo vetëm që vuan dhe vajton trishtimin e saj, por çdo ditë e më shumë mundësitë për shqiptarët për të krijuar hapësira të reja punësimi dhe për të zhvilluar ekonominë bëhen më të vështira.

Ajo tha se mungesat e subvencioneve, janë ato të cilat i kanë dhënë një dëmtim të jashtëzakonshëm bujqësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat