Drama e të jetuarit në një lidhje të dështuar, Eni: Nuk dëgjova prindërit dhe gabova

Shqipëria

Drama e të jetuarit në një lidhje të dështuar, Eni: Nuk dëgjova prindërit dhe gabova

Më: 31 mars 2019 Në ora: 15:36
Eni nga Pogradeci

Eni vjen nga qyteti i Pogradecit, në një familje me dy motrat, vëllain dhe prindërit e saj. Vajza është pika e dobët e babait të cilin e ka ftuar në “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për t’i kërkuar falje.

Ka rreth dy vite që Enin e mundon një histori e kaluar, një dashuri e përfunduar jo ashtu siç e kishte ëndërruar. Ajo ndihet fajtore që nuk i ka treguar të vërtetën babait për atë çfarë ndodhte me lidhjen e saj e që shpesh herë nuk i ka dëgjuar këshillat e tij.

“Historia ime është ndoshta edhe historia e shumë vajzave të tjera që nuk e shprehin, që mendojnë se marrin vendimin e duhur, marrin jetën e tyre në dorë. Mendoja se e dija kush ishte e drejta, jam unë ajo që vendos. Nuk dëgjoja, isha 19 vjeçe, gënjehemi që kalojmë moshën 18 dhe jemi rritur. Mami është e papunë, ndërsa babai polic në doganën e Kapshticës. Unë kam përfunduar universitetin, ndërsa motra vazhdon shkollën e lartë për Drejtësi. Babi është si shok me ne. Prindërit e mi kur e morën vesh nuk ishin dakort, për arsye të moshës, shkollës, jetës të cilën bëja unë dhe ai. Nuk ishin me zgjedhjen time, këmbëngulën që mos ta merrja vendimin për t’u lidhur, të kuptoja që nuk ishte ai zgjedhja ime, por unë besoja.

Ne femrat jemi edhe pak delikate që biem shpejt dhe mendojmë që do i’a dalim, kemi forcën që mund të bëjmë gjithçka për të mbajtur edhe familjen dhe një marëdhënie të shëndetshme, por ja që nuk ishte kështu për mua. Rezultoi totalisht zgjedhja e gabuar, e kuptova sepse unë sapo vija dhe po mbyllja jetën, po largohesha nga njerëzit, duhet të bëja shumë sakrifica. Duhet të zgjidha çdo muaj problemin e qirasë, ujin, sepse jetonim bashkë në Tiranë dhe lodhesha shumë. Ai nuk më donte ose edhe mund të më ketë dashur, por nuk e shprehte kurrë. Të duash dikë duhet t’i qëndrosh pranë, jo thjesht të rrinte gjithë kohës me mua në shtëpi. Në çdo moment donte të isha vetëm për të dhe vetëm në shtëpi, mos të takohesha me miqtë edhe shokët. Ai punonte më parë, pastaj jo më. Kur vinte momenti që duhet të paguheshin shpenzimet, duhet t’i zgjidhja unë duke ndenjur në shtëpi. Gjithmonë më ndihmonin prindërit e mi.

Babi dhe mami e kishin kuptuar që ne kishim probleme, më flisnin gjithmonë, por pavarësisht kësaj më ndihmonin, sepse unë nuk i tregoja të vërtetën, por gjeja arsye të tjera. Është edhe një mashtrim që i kam bërë, por unë vdisja pak e nga pak. Unë arrita që nuk njihja më as veten. Nuk gjeja dot shpëtim. E kisha të vështirë të thoja “stop”, sepse nuk doja që marrëdhënia të prishej për shkakun tim. Ishte një moment që prindërit më thanë që ne kemi marrë një vendim për ty dhe të fejuarin, por ti gjeje kurajon dhe vendos. Unë kisha humbur mes mureve të shtëpisë, por u dorëzova dhe mora babin dhe i thashë të lutem hajde më merr nëse do të jetoj. Sot dua që të paktën unë të çlirohem, sepse u bë kohë që ne nuk flemë. Unë isha ajo që i ka mërzitur ata. Do doja që të ikja pak e çliruar, mos të më mbetet koha pas. Kam vendosur të largohem drejt Gjermanisë për një jetë të re, sapo të përfundoj gjuhën. Tani kam filluar të dua veten”.

Njeriu mund të zhgënjehet e të dashurojë sërish në jetë, por ajo që mbetet unike është dashuria për prindin, për familjen. Aty je gjithmonë i mirëpritur, siç ndihet sot Eni në krahët e babait të saj Ali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat