Skemë e re për përfitimin e ndihmës ekonomike

Shqipëria

Skemë e re për përfitimin e ndihmës ekonomike

Më: 31 mars 2019 Në ora: 17:25
Ministria e financave

Qeveria ka vendosur të rishikojë skemën e shpërndarjes së ndihmës ekonomike, duke vendosur si kusht që anëtarët e familjeve që përfitojnë asistencë sociale të mos refuzojnë ofertën e punësimit nga Zyrat e Punës.

Një projektligj i hartuar nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe ajo e Financave, detyron po ashtu që të gjithë përfituesit e kësaj skeme, pasi të jenë regjistruar si të papunë, duhet të hyjnë në kurset e formimit profesional që do të organizojë Zyra e Punës, përndryshe ata nuk do të marrin ndihmë ekonomike për 6 muaj.

Ky kriter nuk do të zbatohet vetëm për anëtarët e familjeve në zonat rurale dhe anëtarët që janë duke vazhduar studimet deri në moshën 25 vjeç. Për familjet që kanë anëtarë në moshë pune, por që do të refuzojnë punësimin ose do të ndërpresin marrëdhënien e punës për shkaqe të paarsyeshme, përjashtimi nga kjo skemë do të jetë për 1 vit.

Për herë të parë ligji i ri i jep të drejtën e tërheqjes dhe dorëzimit të ndihmës ekonomike bashkëshortes së kryefamijarit, ndërsa në rastin që ajo mungon, e drejta i shkon kryefamiljarit.

Kjo është hera e shtatë që prej vitit 2005-ë që qeveria ndryshon ligjin për asistencën sociale, por ka ende nuk ka një nivel të minimumit jetik të përcaktuar me akt ligjor, i cili do të vendoste dhënien e pagesës në bazë të nevojave minimale që ka një familje për të jetuar në një zonë të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat