Kush po i vë zjarrin Shqipërisë? Xhaçka flet për situatë të pazakontë dhe akte vandale

Shqipëria

Kush po i vë zjarrin Shqipërisë? Xhaçka flet për situatë të pazakontë dhe akte vandale

Më: 1 prill 2019 Në ora: 14:48
Olta Xhaçka

Situata e pazakontë e krijuar me zjarret në vendin tonë gjatë muajit mars detyroi Ministrin e Mbrojtjes Olta Xhaçka ti drejtohet me një apel klasës politike.

Në një konferencë të posaçme për mediat, Xhaçka ftoi të gjithë politikanët të denoncojnë këtë fushatë që shkon në dëm të vendit.

Xhaçka: Ju bëj thirrje të gjitha forcave politike, të gjithë politikanëve pa dallim që të na bashkohen për të denoncuar dhe luftuar këtë fushatë që nuk shkon në dëm të qeverisë por në dëm të vendit. Jam ndjerë e keqardhur dhe e revoltuar kur kam dëgjuar ndonjë syresh që është rrekur të krijojë ndonjë alibi për këtë situatë.

Ministrja e Mbrojtjes tha se nuk ka dhe nuk mund të ketë  alibi dhe as justifikim për këto akte.

Xhaçka: Nuk ka e nuk duhet të ketë asnjë forcë politike, pavarësisht problemeve që ajo ka, që të mbështesë duke justifikuar, apo të nxisë përmes gjuhës së konfliktit e dhunës akte, që e theksoj, nuk dëmtojnë qeverinë, por rrezikojnë të kthehen në një kërcënim real për pronën dhe jetën e qytetarëve.

U bëj thirrje autoriteteve lokale, të gjitha strukturave të njësive të qeverisjes vendore që në disa raste kanë qenë gati inekzistente përpara këtyre situatave, se, minimumi që këto struktura duhet të bëjnë me punonjësit e drejtorët, me këshilltarët bashkiakë e administratorët e kryepleqtë, pra me këtë ushtri njerëzisht që janë sot në borderotë e njësive të qeverisjes vendore, është që të informojnë në kohë për këto zjarre, të veprojnë menjëherë për parandalimin e përhapjes së tyre.

Bashkë me ta ftoj edhe të gjithë qytetarët që të na ndihmojnë duke na informuar në kohë për zjarret, por edhe duke na informuar kurdo që kanë informacion për individët e grupet që qëndrojnë pas këtyre akteve të qëllimshme kriminale.

Ajo çfarë bën përshtypje është fakti se ndërsa marsin e këtij viti janë regjistruar 243 vatra zjarri,  vitin e shkuar nuk ka pasur asnjë dhe pse kushtet klimatike janë të ngjashme.

Xhaçka: Situatë e pazakontë. Gjatë muajit mars janë shënuar 243 vatra zjarri, rreth 8 vatra zjarri të qëllimshme.Krahasuar me një vit më parë, ky numër ka qenë zero dhe pse me kushte atmosferike të ngjashme. Nuk mund të gjesh një vit tjetër me këtë frekuencë zjarri. Janë ndezur qëllimisht dhe në pjesën dërmuese pa asnjë arsye përfitimi. 

Kemi të bëjmë me akte ta pastra vandalizmi për të mos i vënë një emër tjetër në mungesë të provave konkrete që do ti zbulojnë hetimet. Janë akte që për nga logjika dhe natyra u ngjajnë si dy pika uji atyre sulmeve me kallëpe tritoli të shtyllave të tensionit të lartë, që ndoshta si për rastësi kanë ndodhur po këtë periudhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat