BB: Rritja ekonomike në Shqipëri 4.2%, u nxit nga konsumi dhe investimet

Shqipëria

BB: Rritja ekonomike në Shqipëri 4.2%, u nxit nga konsumi dhe investimet

Më: 2 prill 2019 Në ora: 15:12
Pamje nga takimi

“Rritja ekonomike në Shqipëri vijoi të forcohej në vitin 2018, duke arritur në 4.2%”. Konfirmimi vjen nga Banka Botërore, gjatë prezantimit të Raportit Ekonomik Rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekspertja e Bankës Botërore në Tiranë, Hilda Shijaku theksoi se “përshpejtimi i rritjes ekonomike ka sjellë një përmirësim në balancat ekonomike gjatë vitit të kaluar”.

“Vlerësimi ynë ka qenë për një rritje mbi 4%. Të dhënat e INSTAT-it konfirmuan dhe tremujorin e katërt ku u vu re një ngadalësim prej 3.1% i rritjes ekonomike, ndërsa për gjithë vitin 2018 rritja ekonomike shkon në 4.2 %”, tha Shijaku.

Sipas saj, “të gjithë faktorët kanë pasur kontribut pozitiv në rritjen ekonomike, por përgjithësisht rritja është nxitur nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet e brendshme”.

Sipas BB, zhbalancat e jashtme dhe fiskale u përmirësuan, shtimi i vendeve të punës rriti forcën e punës dhe borxhi publik u ul.

Në raport theksohet se rritja e eksporteve në Shqipëri, kanë ndihmuar gjithashtu në rritjen ekonomike.

Për sa i përket balancave fiskale, BB thekson se “borxhi publik dhe detyrimet e prapambetura kanë vijuar të reduktohen gjatë vitit 2018”. “Vlerësimi ynë është për një shifër prej 68.6% që përfshin borxhin publik si dhe detyrimet e prapambetura të akumuluara deri në fund të tremujorit të tretë”, tha Shijaku.

Ajo theksoi gjithashtu se rritja e konkurrencës së tregjeve dhe aksesi i firmave të reja gjeneron punësim dhe shumë oportunitete për rritjen ekonomike.

“Vetëm duke parë disa nga sektorët ku dominon prezenca e ndërmarrjeve publike siç është energjia, uji ose transporti përfshirë edhe telekomunikacionin theksohet se hapja e këtyre tregjeve do të gjeneronte shtysa të konsiderueshme në potencialin e rritjes ekonomike. Për Shqipërinë duke variuar nga 0.15%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut duke filluar nga 0.23%”, tha Shijaku.

Gjithashtu, BB thekson se pasiguria politike është një nga faktorët me mundësi ndikimi në klimën e biznesit.

Në një analizë të detajuar të kapitalit human që kanë këto vende, raporti thekson se zhvillimi i kapitalit human është ngushtësisht i lidhur me zhvillimin e programeve të edukimit duke përfshirë edukimin e hershëm si dhe edukimin universitar, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Duke krahasuar vendet e Ballkanit me vendet e tjera, raporti nënvizon se vihet re që mesatarisht një person në moshë pune humbet konsiderueshëm vite pune duke qenë inaktiv ose jashtë forcës së punës.

Ky raport cilëson mesazhin që shpenzimet duhet të orientohen drejt arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat