Konferenca ndër-parlamentare në Rumani, Bushati: Shqipëria ka përmbushur detyrimet për hapjen e negociatave

Shqipëria

Konferenca ndër-parlamentare në Rumani, Bushati: Shqipëria ka përmbushur detyrimet për hapjen e negociatave

Më: 2 prill 2019 Në ora: 17:48
Ilustrim

“Europa do të vijojë mbështetjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor duke ndihmuar në zhvillimin dhe prosperitetin e tyre”. I pranishëm në konferencën inter-parlamentare në Rumani, “E ardhmja në BE”, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati theksoi vlerësimet pozitive të euro-parlamentarëve.

Deputeti Bushati në emër të delegacionit shqiptar, bashkë me deputetin Fate Velaj, falënderoi eurodeputetët për mbështetjen që i është dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se Shqipëria i ka plotësuar mirë dhe me vendosmëri detyrat që i janë dhënë për të mundësuar anëtarësimin në BE.

“Sot 95 % e shqiptarëve e mbështesin Bashkimin Europian, bashkimin e paqes, sepse një Europë e bashkuar në paqe nuk mund të mposhtet nga lufta. Ballkani Perëndimor tashmë është pjesë përbërëse e Europes. Kur ne flasim për Europën, flasim për gjithëpërfshirje, nuk është thjeshtë një grupim për paqen apo sigurinë, apo grupim ekonomik por bëhet fjalë për gjithëpërfshirje. Vendet e Ballkanit Perëndimor në rang popullsie janë “de facto” në të njëjtin nivel me popullsinë e Rumanisë dhe ne i kemi parë me sytë tanë mrekullitë e BE-së, sepse ne kemi parë mrekullitë e paqes, të një periudhe të paprecedent paqeje prej më tepër se 70 vjet paqe, mbështetur edhe nga NATO dhe ne jemi mbështetës të zjarrtë të NATO-s dhe sapo festuam 10 vjetorin e anëtarësimit në NATO, pasi ne besojmë tek paqja dhe prosperiteti. I kemi plotësuar mirë dhe me vendosmëri detyrat që na janë dhënë për të mundësuar anëtarësimin tonë në BE, sepse popujt tanë besojnë, ata besojnë si tek ylli Veriut, që ne duhet t’i realizojmë të gjitha reformat për anëtarësim, dhe krenaria dhe kurora jonë është Reforma në Drejtësi. Ne jemi i vetmi vend në botë qe e kemi inkorporuar specifikisht në Kushtetutë një organizëm ndërkombëtar mbikëqyrës për Reformën në Drejtësi. Ballkani Perëndimor është Europian, është pjesë integrale e Europës”, theksoi Bushati.

Kryetari i Komisionit për çështjet europiane të Bullgarisë, ish-ministri i Jashtëm Kristian Vigen, ndau të njëjtin mendim me deputetin Bushati përsa i përket integrimit në BE. Për të thelbi i këtij procesi nuk është tek zgjerimi, por tek gjithëpërfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Vigenin, për t’u bërë pjesë e BE-së është një proces i ndërlikuar dhe kërkon përpjekje nga të dyja palët.

“Nëse BE-ja do të shohë që vendet janë realisht të vendosura dhe të angazhuara për zgjidhjen e problemeve mes tyre, për ndërmarrjen e reformave të nevojshme, do të jetë shumë më e lehtë për përmbushjen e hapit të madh dhe kryesisht për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hapjen e negociatave në qershor. Shpresoj shume të arrihet kjo gjë dhe të vazhdojmë me shpejtësi drejt anëtarësimit”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat