Zbulohen dy ngjarjet e rënda kriminale ku policia luajti blofin

Shqipëria

Zbulohen dy ngjarjet e rënda kriminale ku policia luajti blofin

Më: 3 prill 2019 Në ora: 07:10
Foto ilustrim

Vrasja e Jurgen Kurtit, 26-vjeçarit të njohur gjerësisht si menaxher i VIP-ave në “zemër” të kryeqytetit, ishte një ngjarje tepër e rëndë kriminale, të cilën për çudi Policia e Shtetit e zbardhi në kohë rekord.

U desh rreth një javë që Uniformat Blu të çonin në pranga 3 nga autorët e ngjarjes, duke identifikuar edhe Klodian Banen si personin që shkrepi këmbëzën e pistoletës për t’i marrë jetën 26-vjeçarit.

Por para mbërritjes te ekzekutorët e vërtetë të Kurtit, në media u përhap gjerësisht lajmi se Policia e Shtetit kishte shpallur në kërkim Dervis Aarapin, djalin e picierit të vrarë në 2017 në Durrës.

Jurgen Kurti u akuzua asokohe nga familjarët e Agim Arapit, se bashkë me vjehrrin e tij Konstandin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit Kujtim Ekonomi, i cili mori përsipër krimin, rrahën për vdekje për pronarin e picerisë për motive pronësie.

Duke shfrytëzuar këtë histori konflikti, Policia e Shtetit luajti me pistën e hakmarrjes në këtë çështje për të mbërritur te autorët e vërtetë.

Dhe këtu nuk kemi të bëjmë aspak me një rastësi, por me një strategji të mirëmenduar nga drejtuesit më të lartë të Uniformave Blu, për të luajtur blofin duke çorientuar opinionin publik, për të arritur në zbardhjen e krimit.

Gazeta Shqip ka mësuar nga burime brenda Policisë së Shtetit se është përdorur kjo taktikë në të paktën dy ngjarje të rënda kriminale.

Sipas burimit, qëllimi i policisë është të hutojë opinionin publik dhe të përqendrojë vëmendjen tek një pistë false hetimi, të cilën edhe e përhap gjerësisht nëpërmjet disa portaleve. Këto media raportojnë lajme të rreme dhe dezinformojnë publikun, duke ndihmuar Policinë e Shtetit të shkojë te vrasësit e vërtetë.

Një strategji e ngjashme është ndjekur edhe për masakrën në ish-Bllok, ku ishin protagonistë biznesmeni i lojërave të fatit Ervis Martinaj dhe Ervin Mata, i fejuari i këngëtares Elvana Gjata.

Për ngjarjen ku mbeti i vrarë krahu i djathtë i Martinajt, Fabiol Gaxha, policia ka përdorur Elvana Gjatën si “karrem” për publikun.

Burimi i Gazeta Shqip ka sqaruar se këngëtarja e mirënjohur as nuk ka qenë e pranishme fare jashtë ambienteve të klubit “Monopol” në pronësi të Redi Popeskut, siç gjerësisht u raportua në media.

Grupi i Ervin Matës dhe Vis Martinaj u përfol se u përfshin në konflikt si pasojë e ngacmimeve me tendencë ndaj Elvanës, por duket se ky detaj pikant i ngjarjes është fabrikuar nga portalet e “fake-news” që përdor Policia e Shtetit.

Në këtë rast Uniformat Blu e kanë përdorur negativisht këngëtaren për të zbrazur të gjitha përgjegjësitë për ngjarjen e rëndë tek Ervis Martinaj, i cili vijon të mbetet në qeli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat