Socialistët distancohen nga Bushati: Nuk jemi arrogantë

Shqipëria

Socialistët distancohen nga Bushati: Nuk jemi arrogantë

Më: 4 prill 2019 Në ora: 15:12
Ditmir Bushati

“Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi. Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse.  Ne jemi PSSH, ne jemi socialistë, demokratë progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë por edhe për fëmijët e opozitës që mungon këtu në sallë.”

Këto deklarime të djeshme të Ditmir Bushatit u lexuan si një distancim i ish ministrit  me partinë e tij mbi rolin e saj në krizën politike në vend. Por deputetët socialistë nuk i bashkohen kolegut të tyre. Disa heshtin dhe nuk e komentojnë fare deklaratën. “Nuk e di se çfarë deklarimesh ka pasur”,-thotë Spartak Braho.

Deputeti Alket Hyseni i shmanget përgjigjes duke i thënë “mirëmëngjes” gazetares së Report TV, ndërsa ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, fokusohet diku tjetër: “Mirëmëngjes. Mirë jeni? Pyesni një herë a jam mirë me shëndet”, dhe largohet për në mbledhjen e komisionit.

Të tjerë e kundërshtojnë Bushatin duke thënë se qeveria nuk është arrogante, por respektojnë mendimin ndryshe. “Nuk shoh asnjë arrogancë në gjithë këtë qëndrim tonin, është vetëm zbatim i kornizës kushtetuese. Nuk kam qenë prezent gjatë fjalimit të Bushatit, por kam lexuar për të. Në asnjë mënyrë nuk është një ndarje. Kështu ka qenë përherë Partia Socialiste është respektuar mendimi i gjithsecilit në grup,”-thotë Adnor Shameti.

“Unë e di që mazhoranca jonë e ka pasur dorën e shtirë për bashkëpunim jo sot, por është shquar forca jonë politike për bashkëpunim dhe dialog me opozitën”,-thotë Ulsi Manja.  Qysh nga koha kur Rama e shkarkoi si Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk është parë të ketë rol aktiv në mbështetje të mazhorancës, ndërsa fjalimi i djeshëm dëshmoi atë që thuhej nën zë, se ish-ministri nuk ka linjë të njëjtë me kryeministrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat