Basha: Duam një transformim të thellë të demokracisë shqiptare

Shqipëria

Basha: Duam një transformim të thellë të demokracisë shqiptare

Më: 4 prill 2019 Në ora: 20:11
Lulzim Basha

 “Ne duam një reformë të thellë, një transformim të thellë të demokracisë shqiptare që shkon përtej thjesht zëvendësimit të kësaj qeverie me një qeveri tjetër”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë për Deutsche Welle, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se “në Europë nuk shkohet me gënjeshtra dhe shtetin e kapur nga krimi”.

Basha tha se gjatë takimeve të zhvilluara në Gjermani, “synimi kryesor ka qenë diskutimi i krizës politike në Shqipëri dhe bashkëpunimi me partnerët tanë strategjikë, Gjermaninë, për tejkalimin e kësaj krize politike, kushtetuese dhe institucionale”.

Tejkalimi i kësaj krize, sipas Bashës, është shumë i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri, por edhe për të ardhmen europiane të vendit.

Basha tha se “largimi nga Parlamenti ndodhi pas shterimit të çdo mundësie për të zgjidhur në mënyrë institucionale këtë krizë të thellë legjitimiteti”.

“Dalja e opozitës është pa kthim, kriza politike është reale, por kështu është një oportunitet, një mundësi e madhe, jo thjeshtë për të larguar një qeverisje të lidhur me krimin, por për t’i dhënë shqiptarëve një sistem demokratik, funksional, që u shërben atyre dhe jo partive apo thjeshtë e vetëm klasës politike”, tha Basha.

Basha u shpreh shumë i inkurajuar që edhe në Bundestag dhe në institucionet gjermane, ka gjetur mbështetje për këtë axhendë transformuese që shkon përtej thjesht zëvendësimit të kësaj qeverie me një qeveri tjetër.

“Ne duam një reformë të thellë, një transformim të thellë të demokracisë shqiptare. Ne duam vlerat e vërteta europiane. Të garantojmë që pushtetet të jenë të pavarura nga njëri-tjetri, të garantojmë se parlamenti i ardhshëm të jetë me të vërtetë parlament, dhe jo thjeshtë një noter i Kryeministrit. Të garantojmë që Reforma në Drejtësi të prodhojë rezultate, të prodhojë ndjekje të suksesshme penale”, tha ai.

Kjo, sipas Bashës, mund të ndodhë vetëm përmes një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.

Lidhur me zgjedhjet vendore, Basha tha se “kjo çështje zgjidhet vetëm pasi të ndëshkohen ata të cilët janë kapur duke vjedhur zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale të kaluara”.

“Pa u ndëshkuar dhe pa marrë fund ky model i bashkëpunimit të hapur me krimin e organizuar dhe qeverisjes, as që mund të bëhet fjalë për normalitet apo për zgjedhje të tjera”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat