Zyrtarja e DASH: Mbështesim Policinë shqiptare në të gjitha drejtimet

Shqipëria

Zyrtarja e DASH: Mbështesim Policinë shqiptare në të gjitha drejtimet

Më: 5 prill 2019 Në ora: 18:29
Pamje nga vendi i ngjarjes

Bashkëpunimi mes Zyrës së Hetimeve Kriminale në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Policisë së Shtetit, ishte kryefjala e takimit të zhvilluar sot në Tiranë mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu me Shefen e Departamentit të Hetimeve Kriminale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike në Departamentin e Shtetit, Karen Riley.

Gjatë takimit zyrtarja e DASH, Riley theksoi mbështetjes e saj për policinë shqiptare, duke theksuar se në Departamentin Amerikan të Shtetit janë të informuar rreth operacioneve të suksesshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit.

“Në Departamentin Amerikan të Shtetit, janë në dijeni të operacioneve të suksesshme që janë zhvilluar në Shqipëri. Në emër të tyre ju them faleminderit. Vlerësoj shumë marrëdhënien dhe bashkëpunimin që keni me oficerin tonë, marrëdhënie e cila është një nga më të mirat, në të gjitha vendet e tjera. Do keni mbështetjen tonë edhe në të ardhmen në të gjitha drejtimet”, u shpreh Karen Riley.

Gjata takimit drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu shprehu vendosmërinë e policisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Bashkëpunimi është çelësi i suksesit, pasi shpesh mund të kemi dëshirë e vullnet, por pa bashkëpunim dhe mbështetje nuk mund të ketë sukses. Falë këtyre dy komponentëve u bë i mundur finalizimi i dy operacioneve shumë të suksesshme “One If – By Land”, në kuadër të goditjes së kontrabandimit të personave me qëllim emigrimin drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe operacioni policor “Rruga e gabuar”, ku u godit grupi kriminal me 36 anëtarë të dyshuar. Policia e Shtetit e ka prioritet kryesor bashkëpunimin me partnerët, e sidomos me ata strategjikë. Ne jemi të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, dhe kur kemi mbështetje e bashkëpunime të tilla, pa asnjë diskutim që rezultatet janë vetëm pozitive”, tha drejtori Veliu.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Shefi për Hetimet Kriminale në Zyrën Rajonale të Sigurimit në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Antonio Zamudio i cili theksoi se Policia e Shtetit ka fituar besimin dhe mbështetjen e plotë të tyre.

“Jam i bindur që askund nuk mund ta gjej këtë nivel bashkëpunimi si në nivel lidershipi, ashtu edhe në nivel operacional. Do të vazhdojmë në rrugën e nisur, pasi tashmë Policia e Shtetit ka fituar besueshmërinë tonë dhe ka mbështetjen e plotë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, nënvizoi Antonio Zamudio. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat