Lame te Kadastra, Braçe: Zgjidhim problemet me pronat, mos paguani asgjë

Shqipëria

Lame te Kadastra, Braçe: Zgjidhim problemet me pronat, mos paguani asgjë

Më: 6 prill 2019 Në ora: 10:43
Erion Braçe

Zëvendës kryeministri Erion Braçe ka prezantuar sot Artan Lamen si drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një institucion i sapokrijuar që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n. Ai deklaroi gjatë prezantimit se objektivi i qeverisë është zgjidhja e problemeve me pronat dhe certifikimi i tyre. Braçe tha se është bërë një punë e mirë me legalizimet por edhe një betejë që do vazhdojë.

“Certifikimi i pronave është prioritet i qeverisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me legalizimet. Është një betejë që do vazhdojë për të përfunduar procesin e legalizimi të objekteve të paligjshme kudo që ndodhen, në periferi apo zona të populluara dhe ajo përvojë duhet të shërbejë për të çuar para proceset që kemi nisur.

Dua të falënderoj zotin Lame dhe të gjithë kontributorët e tjerë. Dua të falënderoj edhe të gjithë drejtuesit e deri sotëm të ZRPP që kanë përballuar një fluks të jashtëzakonshëm në punë për certifikimin e pronave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Qoftë ato nga procesi i legalizimeve qofshin toka bujqësore”, deklaroi Braçe.

Ai tha se do ta ndjekë personalisht jo vetëm mbarëvajtjen e këtij institucioni por të gjithë koordinimin me institucionet e tjera.

“Ky proces nuk do të ketë sukses nëse nuk do të ketë bashkëpunim me gjithë aktorët. Bëj një apel, besoj që duhet ta kenë në vëmendje, bashkitë kanë marrë atribute të qenësishme, edhe për legalizimin dhe certifikimin e titujve të pronësisë, janë bashkitë që duhet të çojnë procesin përpara, të jenë të interesuara që procesi të përfundojë sa më parë të jetë e mundur. Dua të bëj apel edhe për agjencitë e tjera, apel edhe banorëve, kërkoni shërbim, mos paguani asgjë që nesër mund tu kthehet në të kundërt, vepër penale edhe për nëpunësit edhe për ata që mendon se mund ta blejë shërbimin mes parave, do ta luftojmë korrupsionin”- tha ai.

Ligji i ri për Kadastrën hyri në fuqi pak kohë më parë dhe së shpejti ngrihet edhe struktura e re. Agjencia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, dhe Institucioni shihet si themeli i reformës së pronës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat