Cakaj “shënjestron” personat me pasaporta diplomatike

Shqipëria

Cakaj “shënjestron” personat me pasaporta diplomatike

Më: 9 prill 2019 Në ora: 15:52
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e jashtme, Gent Cakaj deklaroi sot se do t’i përcjellë qeverisë për vendim-shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që iu jep të drejtën e pasaportës diplomatike, drejtuesve dhe anëtarëve të bordeve, udhëheqësve të enteve dhe autoriteteve të ndryshme rregullatore deri tek shoferët e institucioneve të caktuara.

Cakaj u shpreh se, situata në dhënien e pasaportave diplomatike është absurde.

“Një sërë vendimesh të marra në të shkuarën nga vitet 90-ta e më pas të shtresëzuara tepër gjatë dhe pa marrë vëmendjen e merituar ndërkohë kanë krijuar një situatë tërësisht atipike dhe absurde duke bërë që Shqipëria të ketë pothuajse dyfishin e pasaportave diplomatike krahasuar me vendet më të fuqishme evropiane dhe kjo nuk është një krahasim për qëllime stilistike, ky është një fakt real”, tha Cakaj.

Sipas Cakajt, sot në Shqipëri ka më tepër se 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike në përputhje me ligjin dhe që dalin e hyjnë në kufijtë ndërkombëtarë si personalitete me status të veçantë.

“Deputetë matanë legjislaturave të fundit, gjykatës të lartë e kushtetues që nuk e kanë kaluar Vettingun, e deri tek shoqërues të personaliteteve të njohura në Shqipëri. Sot gëzojnë status të posaçëm diplomatik”, tha ai.

Cakaj i ftoi publikisht të gjithë të bëjnë dorëzimin e pasaportave diplomatike sepse ajo do të bllokohet menjëherë dhe do të shpallet e pavlefshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat