Biznesi gjerman i pakënaqur: Na dëmtojnë taksat, korrupsioni dhe tensioni politik

Shqipëria

Biznesi gjerman i pakënaqur: Na dëmtojnë taksat, korrupsioni dhe tensioni politik

Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:03
Bledar Mankollari

Rezultatet e vrojtimit të 10 të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri tregojnë se sipërmarrësit janë të pakënaqur me faktorët ekonomikë.

Veç barrës tatimore, disiplinës në pagesa, transparencës së tenderëve publike apo luftës kundër korrupsionit, faktori që ka sjellë rritje të pakënaqësisë tek bizneset është vetë situata politike.

“Bizneset perceptojnë një rënie të madhe në stabilitetin politik dhe social, marrin një notë shumë negative. Pra ndryshimi këtu është ndryshimi më i madh midis 2018 dhe 2019”, tha Bledar Mankollari, drejtor i DIHA-s.

Situata është kritike për biznesin dhe për shkak të emigracionit.  Largimi i forcës punëtore nga vendi ka ndikuar në kompanitë shqiptare aq sa 13% e tyre vënë në dyshim vazhdimin e ekzistencës së biznesit.

“Shumë, 51% e bizneseve shqiptare mendojnë se janë të prekur direkt  nga emigracioni i forcës së punës; dhe mesatarisht të prekur nga largimi i forcës të punës nga vendi 38%”, u shpreh Mankollari.

E pranishme gjatë prezantimit të rezultateve të anketimit, Ambasadorja Gjermane në Shqipëri, Susanne Schutz vuri në pah tendencat kryesore të klimës ekonomike në vendin tonë.

“Në tërësi për fat të keq, këtë vit konstatojmë një përkeqësim të situatës së përgjithshme ekonomike krahasuar me 2018. Pak më shumë se gjysma e sipërmarrjeve të pyetura e vlerësojnë gjendjen si të keqe. Në këtë mënyrë ky anketim emeton mesazhe të rëndësishme dhe i sinjalizon qeverisë se ku duhet të punojë ende”, tha Schutz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat