Shahini: Paketa financiare në mbështetje të studentëve 2.3 miliardë lekë

Shqipëria

Shahini: Paketa financiare në mbështetje të studentëve 2.3 miliardë lekë

Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:14
Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini, deklaroi sot se “paketa financiare për studentët që përfshin disa elementë si përgjysmimin e tarifës dhe dhënien e bursave për ekselentët dhe kategoritë në nevojë ka vlerën e 2.3 miliardë lekë”.

Në seancën dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për çështjet që lidhen me arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë, ministrja Shahini theksoi se “ndarja e bursave ka filluar në janar. Muaji i parë ishte i ngadalshëm se ka shumë punë në sekretaritë e universiteteve dhe fakte të ndryshme për të mbledhur informacion për çdo student, pasi bëjnë kalkulimin e mesatareve dhe për të parë dokumentacionin nëse studenti i përket kategorisë që përfiton”.

“Muaji janar dhe shkurt ka pasur ngadalësime në procesin e ndarjes së bursave, tani është stabilizuar situata dhe jemi shumë më mirë në ndarjen e bursave”, – tha Shahini.

Ministrja Shahini i ftoi studentët që nuk i kanë marrë bursat që u takojnë dhe një pjesë e tyre që ende nuk kanë hapur llogaritë bankare, të shkojnë sa më shpejt në sekretaritë e universiteteve apo fakulteteve për të parë nëse janë përfitues të bursës që u takon.

Ministrja u shpreh gjithashtu se “më 18 prill bëhen 3 muaj nga lançimi zyrtar i Paktit për Universitetin. Pakti nisi si një draftdokument i ofertës që qeveria e solli në publik si përgjigje të kërkesave të studentëve nga protesta e studentëve në dhjetor 2018. Studentët ngritën shumë çështje, por një nga ato që u artikulua më qartë ishte se ne paguajmë më shumë për cilësinë që marrim”.

“Këtë pjesë e morëm shumë seriozisht dhe vendosëm ti dalim në ndihmë dhe të ofrojmë një pako financiare, e cila ka disa elemente: përgjysmimin e tarifës për të gjithë studentët që janë në ciklin e parë të studimeve me mesatare 9-10, si dhe studentët që janë kategori në nevojë, ose me asistencë ekonomike apo me nevoja të veçanta sipas përcaktimeve të Ministrisë së Shëndetësisë”, – nënvizoi Shahini.

Ministrja tha se “kemi ndarë edhe bursa 10 mijë lekë të reja për studentët ekselentë dhe ata në nevojë. Për studentët e ciklit të dytë ka përgjysmim tarife, për ata që janë ekselentë dhe për ata që janë në nevojë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat