Trafikimi i qenieve njerëzore, Policia e Shtetit rritje të bashkëpunimit me Holandën

Shqipëria

Trafikimi i qenieve njerëzore, Policia e Shtetit rritje të bashkëpunimit me Holandën

Më: 9 prill 2019 Në ora: 17:11
Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ministri për Migracion të Holandës, Mark Harbers

Trafikimi i qenieve njerëzore ishte në qendër të takimit mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ministrit për Migracion të Holandës, Mark Harbers, i cili vizitoi Tiranën.

Takimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u fokusua edhe në forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e flukseve migratore, si dhe intensifikimin e goditjeve të grupeve kriminale të krimit të organizuar dhe atyre të kontrabandimit të qenieve njerëzore, teksa u hodh dhe ideja për ngritjen e një Task-Force që do të ketë si qëllim hetimin e grupeve kriminale, identifikimin dhe goditjen e individëve që merren me kontrabandimin e qenieve njerëzore.

Harbers vlerësoi bashkëpunimin mes dy policive, punën e bërë nga Policia e Shtetit shqiptar për parandalimin e azilkërkimit, si dhe për goditjen e kontrabandimit të qenieve njerëzore. Ai theksoi se është e nevojshme që ky bashkëpunim të thellohet më tej, duke gjetur rrugë sa më efikase për rezultate akoma më pozitive.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit njohu Harbers dhe delegacionin me masat që ka marrë Policia e Shtetit në drejtim të parandalimit të azilkërkimit, me operacionet e zhvilluara në bashkëpunim edhe me partnerët.

Gjatë takimit u dakordësua se nevojitet një shkëmbim informacioni në kohë reale jo vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit apo ndërmjet oficerëve të kontaktit, por edhe në mënyrë direkte duke krijuar grupe hetimore të përbashkëta për të arritur qëllimin final të goditjes së grupeve apo individëve të përfshirë në aktivitet kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat