Konferenca e kryeparlamentarëve të BE, Ruçi: Triumfoi fryma pro zgjerimit

Shqipëria

Konferenca e kryeparlamentarëve të BE, Ruçi: Triumfoi fryma pro zgjerimit

Më: 9 prill 2019 Në ora: 17:13
Pamje nga konferenca

“Kryeparlamentarët europianë shprehën vlerësimet shumë pozitive për arritjet e Shqipërisë në plotësimin e prioriteteve”, shprehet Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi pas takimit të ditës së dytë në Konferencën e kryeparlamentarëve të BE në Vjenë.

Ruci shton se thekson në konferencë triumfoi fryma pro zgjerimit.

Ruçi dhe Balla zhvilluan takime intensive me kryetarë të parlamenteve të vendeve anëtare ku u prezantuan arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe të reformave të integrimit, përcaktuar nga Këshilli Europian, dhe u kërkua mbështetje për çeljen e negociatave në qershor 2019.

“Kryeparlamentarët europianë shprehën vlerësimet shumë pozitive për arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të reformave të procesit të integrimit dhe ofruan asistencë teknike të parlamenteve të tyre për procesin e negocimit” shtoi ai.

Konferenca e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së në përfundim të Takimit të Vienës, bëri thirrje për vijimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes një progresi të dukshëm dhe vijimit në hapat e tjerë të anëtarësimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Drejtuesit e 28 parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së vlerësuan rezultatet e arritura dhe nxitën vijimin e reformave në përmbushje të kriterit të anëtarësimit në BE. Duke iu referuar rritjes së prezencës së aktorëve të jashtëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si Rusia dhe Kina, ata i bënë thirrje BE-së “të vijojë të promovojë vlerat e veta dhe të mbrojë interesat e veta në Ballkanin Perëndimor, sikurse ky është një investim në paqe, demokraci dhe siguri.

Në fund, u dhanë edhe konkluzionet e Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së në lidhje me procesin e zgjerimit.

Kryetarët e parlamenteve njohin nevojën për t’i mbajtur çështjet e zgjerimit dhe marrëdhëniet me vendet fqinje pjesë të axhendës dhe për të mbajtur një perspektivë evropiane të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht sfidave të brendshme të vetë Bashkimit Europian.

Ata janë dakord që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për stabilitetin e të gjithë kontinentit. Duke pasur parasysh ndikimin në rritje të aktorëve të jashtëm në rajon, është me shumë rëndësi që Bashkimi Europian të vazhdojë të promovojë vlerat e tij dhe të mbrojë interesat e tij në Ballkanin Perëndimor, pasi ky është një investim për paqen, demokracinë dhe sigurinë.

Mbështetja popullore në Ballkanin Perëndimor ndaj një kursi pro-europian ruhet më së miri duke pasur një zhvillim të dukshëm në procesin e anëtarësimit. Duke pasur parasysh këto faktorë, kryetarët e parlamenteve rikonfirmojnë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin për zgjerimin e Bashkimit Europian.

Kryetarët rikonfirmojnë se procesi i zgjerimit duhet të mbështetet në përputhjen e plotë me kriteret e anëtarësimit. Duke njohur progresin që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë vitet e fundit, kryetarët e parlamenteve i nxisin ato të vazhdojnë reformat e tyre. Në të njëjtën kohë, ata i bëjnë thirrje vendeve të rajonit të kapërcejnë konfliktet që ende ekzistojnë, të rrisin bashkëpunimin rajonal dhe të vendosin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat