Grabitja, ministrja Balluku: Alarmuese, siguria të garantohet nga Policia e Shtetit

Shqipëria

Grabitja, ministrja Balluku: Alarmuese, siguria të garantohet nga Policia e Shtetit

Më: 9 prill 2019 Në ora: 22:13
Belinda Balluku

E gjendur përballë një situate të paparashikuar përpara se të niste udhëtimin e saj në Berlin, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar përmes rrjeteve sociale mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Aeroportin e Rinasit.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur, për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet. Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte, aeroporti është i kërcënuar lehtësisht deri edhe nga akte më të rënda sesa kaq”, shkruan ministrja Balluku.

Duke e quajtur një alarm që s’duhet kaluar pa nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës, sidomos nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të Aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, ministrja kërkon ndërhyrjen e Policisë së Shtetit.

“Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë. Fakti që aeroporti, njësoj si të gjithë aeroportet në Europë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vet kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak! Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit”, thekson Belinda Balluku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat