Financohen për herë të parë Ndërmarrjet Sociale, MSHMS shpall procedurat për aplikim

Shqipëria

Financohen për herë të parë Ndërmarrjet Sociale, MSHMS shpall procedurat për aplikim

Më: 10 prill 2019 Në ora: 10:56
Ilustrim

Ndërmarrjet Sociale do të financohen për herë të parë këtë vit nga Qeveria shqiptare, për të mbështetur me punësim grupet e pafavorizuara të shoqërisë.

Financimi i këtyre ndërmarrjeve synojnë nxitjen e barazisë gjinore, fuqizimin ekonomik të gruas dhe grupeve të tjera vulnerabël. Të paktën 30 % e të punësuarve të këtyre ndërmarrjeve do të jenë persona me aftësi të kufizuar, persona që dalin nga skema e ndihmës ekonomike apo grupe të tjera të pafavorizuara.

Për vitin 2019 janë akorduar 100 milion lekë nga buxheti i shtetit për nxitjen dhe mbështetjen e Ndërmarrjeve Sociale. Organizatat Jofitimprurëse kanë të drejtë të aplikojnë për të marrë statusin “Ndërmarrje Sociale”.

Procedura e marrjes së statusit iniciohet nga vetë organizata jofitimprurëse me anë të një kërkese drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kërkesa e Subjektit pranë MSHMS, duhet të jetë në formë të shkruar dhe duhet të përmbajë edhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës dhe parashtrim të arsyeve se si organizata përmbush kriteret ekonomike dhe sociale të parashikuara në ligj për ndërmarrjet sociale.

Kur një ndërmarrje sociale ushtron veprimtari për të cilat nevojitet licencë, pajisja me licencë, sipas përcaktimeve ligjore që rregullojnë licencimin, duhet të sigurohet përpara aplikimit për marrjen e statusit.

Krahas kërkesës për marrjen e statusit, subjektet e interesuara duhet të paraqesin: a) Një vërtetim të lëshuar, jo më vonë se tre muaj para datës së aplikimit, nga Zyra e Regjistrimit të OJF-ve tek Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë; b) Një kopje të statutit dhe aktit të themelimit; c) Një vendim të organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse ku të shprehet qëllimi i organizatës për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale; d) Dokumente të tjera që vërtetojnë përmbushjen e kritereve ekonomike e sociale; e) Kopje të licensës, nëse do të jetë rasti; f) Kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat