Integrimi, Ruçi: Italia, avokatja më e mirë. Cutillo: Ndihma për Shqipërinë do të vijojë

Shqipëria

Integrimi, Ruçi: Italia, avokatja më e mirë. Cutillo: Ndihma për Shqipërinë do të vijojë

Më: 10 prill 2019 Në ora: 15:28
Gramoz Ruçi dhe Alberto Cutillo

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi sot një takim me ambasadorin italian në Shqipëri,  Alberto Cutillo, ndërsa u diskutua për bashkëpunimin dhe procesin e integrimit.

“Italia ka qenë dhe do të mbetet avokatja më e mirë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për këtë populli shqiptar, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare i jemi të gjithë mirënjohës.

Kjo mbështetje u konstatua edhe gjatë Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të BE-së, e cila u zhvillua në Vjenë në datat 8-9 prill, në të cilën triumfoi fryma e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në të cilën Itakia pati një zë të fuqishëm" vuri në dukje Ruçi.

Nga ana e tij, Ambasadori Cutillo nënvizoi se ndihma dhe kontributi i Italisë për rrugëtimin europian të Shqipërisë do të vazhdojë dhe do të intensifikohet.

Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Ambasadori Cutillo diskutuan edhe mbi vizitën e ardhshme zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Itali, me ftesë të Presidentes së Senatit Casellati dhe Presidentit të Dhomës së Deputetëve Fico, në datat 14-16 prill, e cila ka në fokus koordinimin e përpjekjeve për marrjen e një vendimi pozitiv, për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë, në qershor 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat