Meta: Hetime të thella për ngjarjen në aeroport

Shqipëria

Meta: Hetime të thella për ngjarjen në aeroport

Më: 10 prill 2019 Në ora: 18:35
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta e konsideroi ngjarjen e përsëritur të grabitjes së djeshme brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza”, cënim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.

Përmes një deklarate për shtyp, Kreu i Shtetit i kërkoi agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve, si dhe gjetjen e vlerave monetare të grabitura.

Meta kërkoi që të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligjzbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të përsëritur.

“Të nxirren dhe të evidentohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për parandalimin e kësaj ngjarjeje të përsëritur, që mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë dhe të huaj”, u shpreh Presidenti, ndërsa kujtoi se në maj 2018 është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i cili ka dhënë rekomandimet e nevojshme për sigurinë e aeroportit.

Meta kërkoi që “prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme, por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën”.

“Nga ky moment Institucioni i Presidentit të Republikës, vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe konkluzioneve të tij”, tha Kreu i Shtetit.

Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë, sipas Presidentit,  është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë”. “Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat