Ushtria në Rinas, Rama – Metës: Junta marrëzi! Shiko Parisin, Frankfurtin

Shqipëria

Ushtria në Rinas, Rama – Metës: Junta marrëzi! Shiko Parisin, Frankfurtin

Më: 11 prill 2019 Në ora: 13:31
Edi Rama dhe Ilir Meta

Kritikët, kryesisht opozitarë që e kanë cilësuar antikushtetues vendosjen e Forcave të Armatosura në Rinas për të rikthyer rendin dhe sigurinë, kanë marrë një përgjigje pikante nga kryeministri Edi Rama në Instagram.

Në një kohë, që Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të FA në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”, Rama ka nxjerrë fotot nga Parisi dhe kryeqytete të tjera europiane.

Aty shihet sesi ushtarë, madje edhe të armatosur patrullojnë edhe brenda terminalit të udhëtarëve.

“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cenuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato”, shkruan Rama.

Në vijim, shefi i qeverisë thekson se “beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë”.

“Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike”, shkruan Rama në përgjigjen e tij për Kreun e Shtetit dhe opozitën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat