Miratimi i rezolutës për integrimin duhet të ishte një moment bashkimi

Shqipëria

Miratimi i rezolutës për integrimin duhet të ishte një moment bashkimi

Më: 11 prill 2019 Në ora: 14:58
Olta Xhaçka

“Rezoluta që miratojmë sot është dëshmia më e qartë e vullnetit tonë për të çuar përpara të gjithë procesin e integrimit”, theksoi sot ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Në fjalën e saj në Kuvend ku pritet të miratohet raporti për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ministrja Xhaçka theksoi se “miratimi i kësaj rezolute duhet të kishte qenë një moment bashkimi, një moment për ti treguar partnerëve dhe aleatëve tanë që pavarësisht dallimeve apo mosmarrëveshjeve kur vjen puna tek integrimi në BE ne jemi të gjithë të bashkuar si shqiptarë, jemi të bashkuar e të vendosur për të bërë gjitha çfarë duhet pavarësisht bindjeve politike, sepse Europa është objektivi dhe interesi më i madh i çdo qytetari shqiptar”.

“Anëtarësimi në BE gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve socialistë apo demokratë, të majtë apo të djathtë, burra e gra të rinj apo të moshuar. Por ja që nuk është kështu kjo anë e sallës së kuvendit, protesta para hyrjes së kuvendit, na kujton të gjithëve që nuk është kështu. Ky nuk është një moment bashkimi sepse për herë të parë shqiptarët kanë një opozitë jashtë parlamentit , e cila qartazi në mënyrë cinike ka vendosur interesin e saj të ngushtë mbi interesin madhor të qytetarëve”, nënvizoi Xhaçka.

Ministrja u shpreh se “ka një opozitë që ka vendosur me vetëdije të plotë të sabotojë interesin kombëtar dhe procesin e integrimit per hatër të problemeve të saj të brendshme që nuk janë probleme të shqiptarëve apo Shqipërisë, por thjesht probleme të PD dhe LSI”.
Nëse këtë do ta thoshim vetëm ne, vijoi ajo, sigurisht me shumë të drejtë mund të na kritikonte se po akuzonim opozitën në emër të luftës politike dhe do të kishte të drejtë sikur këto ti thoshim vetëm ne.

“Por në fakt edhe më qartë se ne këto kritika për atë që po bën sot opozita i kanë artikuluar edhe miqtë e partnerët tanë. Ky është qëndrimi i SHBA që në krye të herës dhe qëndrimi i BE-së, ky është një qëndrim i shprehur qartë dhe prerë dhe pas asnjë hapësirë për ekuivok nga çdo përfaqësues i çdo vendi partner dhe aleat të Shqipërisë”, – theksoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka tha se jemi krenarë për stabilitetin e Shqipërisë, jemi krenarë që vendi ynë është shtyllë stabilitetit, jemi krenarë që faktori shqiptar në rajon është një faktor stabiliteti. Ne jemi krenarë për rolin që kemi luajtur në zgjidhjen e krizës, Maqedonisë se Veriut, apo në hedhjen e urave të bashkëpunimit në rajon”.

Po ashtu, vijoi Xhaçka, jemi krenarë që Shqipëria është një eksportuese neto në rajon dhe kudo ku ka nevojë NATO, pasi jemi prezentë në misione të aleancës në Afganistan, Bosnje, Letoni, në Detin Egje, në Mali dhe po përgatitemi të jemi prezentë nën ombrellën e OKB-së edhe në Sudanin Jugor.

“Është një rol që aleatët tanë e kanë vlerësuar dhe si shpërblim kanë vendosur të ndërtojnë në Kuçovë edhe një bazë të rëndësishme të aleancës apo bashkëpunimi dhe mbështetja që na kanë dhënë aleatët tanë amerikanë. Shpresoj që edhea ta që kanë braktisur detyrën që iu ishte besuar nga qytetarët do të ndalen sa nuk është vonë dhe ti rikthehen procesit demokratik duke filluar me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit”, theksoi Xhaçka.

Ministrja tha se “ne kemi detyrimin të jemi të hapur për dialog duke filluar me reformën zgjedhore. I takon opozitës të vendosë, por teksa të mendohen ta kenë të qartë se ne jemi të vendosur për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat