Petro Koçi: Meta reagim të papjekur për juntën ushtarake dhe ushtrinë në aeroport

Shqipëria

Petro Koçi: Meta reagim të papjekur për juntën ushtarake dhe ushtrinë në aeroport

Më: 12 prill 2019 Në ora: 18:27
Petro Koçi

Aktivizimi i Policisë Ushtarake për garantimin e sigurisë në aeroportin e Rinasit, shkaktoi edhe përplasje mes institucioneve, me Presidentin Meta që shfaqi shqetësimin se nuk ishte informuar për lëvizjen e forcave dhe mjeteve të ushtrisë në cilësinë e komandantit të Forcave të Armatosura të Ushtrisë, duke i kërkuar edhe llogari shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.

Por këtë reagim të Presidentit, zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi e sheh më tepër si një justifikim të një deklarate të mëhershme të Metës, atë se ‘Rrezikohemi nga një juntë ushtarake’.

“Kam përshtypjen se duhet të jetë shumë i kompleksuar nga ajo që ka thënë para disa kohësh, ku tha se: Rrezikohemi nga një juntë ushtarake. E kam cilësuar që atëherë si një deklaratë të papjekur. E duke marrë shkas nga kjo, po mundohet të justifikojë veten për atë çfarë ka thënë”, u shpreh Petro Koçi.

I ftuar në studion e Top Talk, zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, u shpreh se nuk ishte e nevojshme që Presidenti të njoftohej, pasi nuk kishte një lëvizje trupash.

“Nuk ka nevojë për ta njoftuar, sepse nuk është ndonjë lëvizje trupash. Nuk është rasti i parë. Sigurisht ne jemi të lirë për të komunikuar me Komandatin e Përgjithshëm, skemi asnjë lloj pengese. Presidenti është Komandati i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ushtron këtë autoritet nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit në kohë paqe, në kohë lufte ndryshon”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat