Manja: Hetime të thella deri në nxjerrjen e përgjegjësisë

Shqipëria

Manja: Hetime të thella deri në nxjerrjen e përgjegjësisë

Më: 12 prill 2019 Në ora: 18:58
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi sot se ngjarja në Rinas është e rëndë, kriminale, por nuk është cenuar Siguria Kombëtare.

Në një intervistë në një studio televizive, Manja theksoi se “nuk bashkohem me askënd që një ngjarje të tillë kriminale të ndodhur në një aeroport, që le të themi është objekt i rëndësisë së veçantë, ta konsiderojmë si cenim të rëndë të sigurisë kombëtare”.

“Pra një ngjarje e rëndomtë kriminale që ndodh në një objekt të rëndësisë së veçantë, nuk do të thotë automatikisht se është cenuar rëndë siguria kombëtare”, theksoi Manja.

Ai u shpreh se ngjarja meriton hetim shembullor, ku të gjithë aktorët që kanë pasur akses, që tek banka, kompania e transportit, kompania koncesionare dhe gjithkush që është i përfshirë në zinxhirin e mbarëvajtjes së punës dhe sigurisë së lëvizjes dhe transportit të mallrave në aeroport, duhet të hetohet”.

Manja tha se “është rasti që prokuroria të nxjerrë përgjegjësitë penalë konkrete përtej autorëve të grabitjes që besoj do zbardhet shumë shpejt”.

Ai inkurajoi organet e prokurorisë dhe policisë që t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së ngjarjes, duke zbardhur gjithë zinxhirin e përgjegjësive penale. Po ashtu është shumë e rëndësishme që edhe inkasimi i vlerave të grabitura si provë materiale t’i kthehen pronarëve.

“Shteti duhet ta ndërpresë kontratën me koncesionarin, pasi ai i nuk ka çfarë të thotë, pasi nuk ka zbatuar ato pika që thuhen në kontratë. Ushtria duhet të shkojë në Rinas. Djemtë dhe vajzat më të mirë që kemi nuk kanë pse të shkojnë për misione paqeruajtëse vetëm në Afganistan e gjetkë, por më së pari të ruajnë sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Me një ligj të miratuar në Parlament, Policia ushtarake është në varësi të Shtabit të Përgjithshëm dhe i lejohet patrullimi”, – u shpreh Manja.

“Zanafilla e asaj që ndodhi në aeroportin e Rinasit si rast i përsëritur në gjykimin tim fillon nga një koncesion i gabuar 20 e ca vite më parë, kur ky aeroport është dhënë me koncesion. Është i vetmi aeroport që ne kemi, madje i ndarë gjysmë për gjysmë, një pjesë është aeroport civil, dhe një pjesë është nën juridiksionin e ushtrisë dhe është krejt e natyrshme që kontrata e koncesionit jo vetëm që duhet të ishte e lidhur në detaje dhe e përcaktuar, pasi ka të bëjë me sigurinë e aeroportit, por duhet të ishte mbikëqyrur si duhet zbatimi i kësaj kontrate koncesionare”, – nënvizoi Manja.

Manja u shpreh se “unë them që përgjegjësia është komplekse dhe meqë na ndodhi, le të themi për herë të tretë kjo që ndodhi në aeroportin e Rinasit, shteti e ka marrë situatën në dorë për të nxjerrë përgjegjësitë administrative në rastin konkret se ku ka çaluar puna me mosrespektimin e kontratës dhe me sigurinë e aeroportit përtej përgjegjësive penale që lidhen me grabitjen janë çështje e organeve të hetimit e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, ndërsa përgjegjësia penale është individuale”.

“Amplifikimi politik që kërkohet t’i bëhet kësaj ngjarje, unë nuk bie dakord jo vetëm me opozitën, sepse ajo ngjarje të tilla kërkon që t’i instrumentalizojë për të rritur gjendjen e pasigurisë tek qytetarët, sepse kërkon pushtetin, por edhe me këdo që në këtë moment nuk mbështet Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit”, – tha Manja. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat