Lisen Bashkurti: Pakti i Kokëdhimës, shans për PS dhe PD, të lënë pas të kaluarën

Shqipëria

Lisen Bashkurti: Pakti i Kokëdhimës, shans për PS dhe PD, të lënë pas të kaluarën

Më: 13 prill 2019 Në ora: 10:16
Bashkurti - Kokëdhima

Publicisti Lisen Bashkurti, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, analizon Paktin Kombëtar të propozuar nga kreu i “Zgjidhja”-s, Koço Kokëdhima. Ai thotë, se qëllimi pozitiv i Paktit i shërben stabilizimit të vendit dhe zgjidhjes së krizës institucionale dhe kushtetuese në vend

Intervista e plotë:

Z.Bashkurti, si e gjykoni Paktin Kombëtar të z.Kokëdhima, i cili synon nxjerrjen e vendit nga kriza?

E kam parë me vëmendje propozimin e një pakti kombëtar nga z. Kokëdhima. Qëllimi i paktit mendoj se i shërben momentit në të cilin ka ardhur tranzicioni shqiptar mbas 28 vitesh si dhe sfidave që kemi përpara. Pa mohuar aspak arritjet e mëdha të transformimeve politike, demokratike, juridike, institucionale, ekonomike dhe integruese, tranzicioni shqiptar si fazë është ezauruar plotësisht. Tanimë përvojat që kemi janë të mjaftueshme për sukseset dhe dështimet, për shkaqet dhe arsyet me qëllim që të bëhen ndërhyrjet madhore kushtetuese, institucionale, ligjore, administrative, ekonomike që të mbyllet përfundimisht faza e tejzgjatur dhe traumatizuese e tranzicionit shqiptar. Nga ana tjetër, këto ndryshime madhore kushtetuese, institucionale, ligjore, administrative dhe ekonomike do të shënonin hyrjen e vendit në fazën e stabilitetit dhe të integrimit Evropian. Përveç qëllimit pozitiv, propozimi i paktit ka rëndësi edhe për frymën përmes së cilës synon të realizohet. Është fjala për një frymë gjithëpërfshirëse. Gjithëpërfshirja është një nga katër parimet themelore të demokracisë Evropiane, e sanksionuar edhe në Traktatin e Lisbonës. Legjitimiteti, transparenca, llogaridhënia dhe gjithëpërfshirja janë katër kolonat principale të Bashkimit Evropian. Shqipëria lypet të vendoset mbi këto katër shtylla parimore demokratike. Legjitimiteti kërkon institucione të zgjedhura në mënyrë të lirë dhe të ndershme dhe që e ruajnë legjitimitetin gjatë tërë mandateve të tyre përfaqësuese qeverisëse; transparenca kërkon që politikat publike, politikat qeverisëse, politikat buxhetore, investimet publike të bazohen në ligje, praktika dhe procedura të hapura e konkurruese si dhe të barabarta për të gjithë; llogaridhënia kërkon që organet publike, të zgjedhura dhe të emëruara të raportojnë në mënyrë permanente përballë institucioneve përfaqësuese dhe opinionit publik për zbatimin e ligjit, të politikave publike, të programeve qeverisëse dhe të premtimeve të bëra përpara qytetarëve; gjithëpërfshirja kërkon që gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë, grupet e interesit, shoqëria civile, akademikët, komunitetet etnike dhe fetare, individët e lirë të kenë mundësi që të marrin pjesë aktivisht në politikë-bërje dhe vendim-marrje. Parimi i katërt, pra ai i gjithëpërfshirjes është parakusht për çështjet madhore siç është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndonëse qytetarët shqiptarë të të gjithë kategorive janë mbi 90 përqind pro Evropian dhe mbështesin fuqishëm integrimin e vendit në BE, sërish mund të thuhet se politikë-bërja dhe vendim-marrja në Shqipëri gjatë tranzicionit nuk e ka përfillur sa dhe si duhet parimin e gjithëpërfshirjes, duke filluar nga votimet dhe duke vijuar me gjitha fazat e politik-bërjes dhe vendim-marrjes. Integrimi Evropian, për shembull, është konceptuar si ekskluzivitet i qeverisë dhe i parlamentit dhe aspak si çështje mbarë shoqërore e vendit. Fryma që propozimi i paktit synon të realizohet është pikërisht nëpërmjet një pjesëmarrje të gjerë të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë shqiptare. Nga dy pikëpamjet, pra si nga qëllimi madhor për një dokument të ri që të lërë pas tranzicionin dhe të adresojë sfidat madhore aktuale të vendit për një periudhë afatmesme si nga fryma gjithëpërfshirëse e diskutimit dhe e miratimit të këtij propozim pakti vlejnë për t’u konsideruar pozitivisht dhe për t’u mbështetur në shkallë të gjerë.

Si mund të impelementohet në praktikë Pakti i Zgjidhjes?

Mendoj se lypset të kalohet në tri faza: së pari, faza e diskutimit të lëndës së propozuar nga z. Kokëdhima nga të gjithë aktorët dhe faktorët e shoqërisë, ose së paku, nga ato më kryesorët e vendit. Në këtë fazë ka shumë rëndësi përfshirja e mazhorancës, opozitës, medias, mbas të cilave do duhet të përfshihen gradualisht edhe grupet të tjera shoqërore dhe individë me ndikim publik. Faza e dytë, do të nevojitej të arrihej konsensusi për miratimin e draftit të dakorduar. Faza e tretë, do të lidhej me zbatimin në praktikë të paktit.

Në pakt parashikohet kufizim mandati të krerëve të politikës dhe shtetit, për depolitizim të zgjedhjeve dhe ndryshime kushtetuese. Pse mendoni, se ka të drejtë ose jo, “Zgjidhja” për këto propozime?

Mendoj se ka të drejtë duke u bazuar në përvojat e tranzicionit shqiptar. Demokracia shqiptare ka jashtëzakonisht nevojë për freskime permanente të lidershipit politik, qeverisës dhe institucional të vendit. Kufizimi kushtetues i mandateve është rruga më e mirë dhe më e drejtë për ta nxitur këtë dukuri aq të nevojshme. Mendoj se pakti propozimi ka të drejtë, sepse depolitizimi i organeve për administrimin e zgjedhjeve është bërë emergjencë për demokracinë shqiptare. Organet tejet të politizuara aktuale më shumë funksionojnë mbi parimin e Stalinit që thoshte “populli voton, ne numërojmë votat”, sesa primet demokratike për votim dhe numërim të lirë dhe të ndershëm. Për këto arsye dhe të tjera, mendoj se z. Kokëdhima ka të drejtë dhe lypet të konsiderohet pozitivisht.

Pse PD-PS hezitojnë të pranojnë idetë e “Zgjidhjes” për ndryshim të sistemit zgjedhor?

PD dhe PS mund të jenë kundër idesë së propozuar nga z. Kokëdhima, sepse janë ato që e kanë qeverisur vendin deri tani, janë ato që kanë realizuar të njëjtat qëllime të përafërta, janë ato që e kanë zgjatur tranzicionin kaq shumë, janë ato që kanë krijuar të njëjtat modele jo alternative, sepse janë ato që kanë prodhuar traumat e shoqërisë shqiptare, janë ato që kanë çoroditur sistemin politik, kanë deformuar vlerat e demokracisë, kanë ulur standardet ekonomike, kanë rrënuar stabilitetin social, kanë krijuar vonesat në integrimin e Evropian të vendit. Do ishte në nderin e PD dhe PS që të linin pas me vullnet dhe kuraje të kaluarën dhe të ngriheshin në nivelin e sfidave të kohës. Mendoj se pakti i propozuar nga z. Kokëdhima do ishte fillimi i mirë edhe për establishmentin e vjetër të vendit, pra të PD dhe PS sepse do u jepte edhe atyre shansin që të kontribuojnë edhe më tej në përballimin e sfidave të vendit në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, si alternativa e vetme, më e drejtë dhe më e dobishme për popullin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat