Del raporti sekret i policisë për grabitjen në Rinas

Shqipëria

Del raporti sekret i policisë për grabitjen në Rinas

Më: 14 prill 2019 Në ora: 10:38
Grabitja në Rinas

Në një raport konfidencial të Policisë së Shtetit, që u vihet në dispozicion institucioneve më të rëndësishme në vend, tregohen detajet e grabitjes që ndodhi më 9 prill në pistën e avionëve në Rinas.

Në raport jepen në mënyrë kronologjike, me orar të saktë, të gjitha lëvizjet e grabitësve, por edhe veprimet e mosveprimet e kompanisë së sigurisë në aeroport.

Ndërsa theksohet se Policia është njoftuar 5 minuta e 20 sekonda me vonesë, pasi kishte ndodhur ngjarja. Nga ana tjetër, TIA, duke përmendur deklaratën e dhënë të nesërmen pas ngjarjes, shprehet se pretendimet e Policisë janë të pavërteta, duke qenë se njoftimi është dhënë në kohë.

Dokumenti mbështetet në të dhënat e referuara nga Policia e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe kompania koncesionare.

Sipas Policisë, furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, me të cilin lëviznin grabitësit, e ka hapur portën nga ana e parkingut 24 orësh, pak metra pa arritur te Baza Ajrore Ushtarake e Rinasit, në orën 14 e 57 minuta e 30 sekonda.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, autorëve iu është dashur 1 minutë e 20 sekonda për të depërtuar në pistë, shkruajnë mediet shqiptare.

Mbërritja tek avioni

Në kohën kur grabitësit i janë afruar avionit, në orën 14 e 59 minuta e 20 sekonda, një fugon i Policisë ndodhej në Aeroportin e Rinasit, te vendqëndrimi i avionëve, pasi do të shoqëronte disa persona të deportuar nga vendet e BE-së. Megjithatë, efektivët që ndodheshin në këtë furgon pretendojnë se nuk kanë pasur fushëpamje në drejtim të avionit që pritej të nisej drejt Vjenës.

Por nga ana tjetër nuk janë njoftuar as nga shërbimet e ICTS. Sipas raportit të Policisë, nga verifikimi i kamerave konstatohet se në orën 14 e 59 minuta e 30 sekonda, furgoni i grabitësve ka ndaluar pranë krahut të djathtë të avionit të kompanisë “Austrian Airlines”. Grabitësit e armatosur kanë zbritur dhe duke kërcënuar punonjësit që po ngarkonin bagazhet, kanë marrë thasët me para.

Dalja nga pista

Në raport thuhet se pas grabitjes, autorët kanë hipur në furgon dhe janë drejtuar me shpejtësi nga veriu, duke përshkuar pistën e avionëve në të gjithë gjatësinë e tij. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, në orën 15 e 2 minuta e 20 sekonda ata janë afruar te porta që ndodhet në fund të pistës në rrethimin verior dhe kanë prerë zinxhirin, duke dalë në rrugë. Dalja në rrugën që të çon drejt fshatit Tapizë të Fushë-Krujës ka zgjatur 35 sekonda.

Njoftimi i policisë

Grupi i gatshëm i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ndodhej te hyrja e portës “A”, jashtë pistës së avionëve. Në orën 15 e 45 sekonda kanë zbritur nga fugoni i shërbimit, kanë vrapuar për te porta hyrëse për në pistën e avionëve, e cila ishte e mbyllur dhe nuk u hap nga punonjësit e ICTS. Në orën 15 e 1 minutë e 30 sekonda, FNSHja ka vazhduar ndjekjen në rrugën jashtë rrethimit, ku ka arritur t’u afrohet autorëve në një distancë prej 20 sekondash.

Ndërsa 25 sekonda me vonë, shërbimi Zjarrfikës informon punonjësit e Policisë që një mjet ka hyrë te porta pranë shërbimit të zjarrfikëses. Në raport thuhet se oficeri menaxher në detyrë ka telefonuar shefin e Komisariatit Rinas në orën 15 e 2 minuta e 51 sekonda, duke e informuar për rastin dhe se në orën 15 e 4 minuta, ICTS ka njoftuar në numrin e Sallës Operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Kompania

Kompania koncesionare raporton se oficeri menaxher në detyrë e ka bërë njoftimin në Polici në orën 15:00 dhe jo 3 minuta më vonë, siç raporton Policia. Po në këtë orë, thotë kompania, oficeri shkon te dhoma dhe i kërkon ICTS të mbyllë menjëherë portën. Por në konkluzionet e raportit thuhet se koncesionari i TIA dhe kompania e sigurisë ICTS nuk kanë njoftuar në kohë Policinë e Shtetit.

ODM i TIA ka njoftuar shefin e Komisariatit Rinas në orën 15 e 2 minuta 51, pra 5 minuta e 21 sekonda më vonë nga momenti i cenimit të rrethimit, që ndodhi në orën 14 e 57 minuta e 30 sekonda. Në kohën e njoftimit, autorët kishin dalë nga pista. Vonesa nga ICTS ka qenë edhe më e madhe, ka njoftuar Policinë në orën 15 e 4 minuta, 6 minuta e 30 sekonda nga momenti kur grabitësit u futën në pistë. Në raport thuhet po ashtu, se TIA ka njoftuar Autoritetin e Aviacionit Civil në orën 15:30, rreth 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat