Meta: Shqipëria është partner i besueshëm i NATO-s

Shqipëria

Meta: Shqipëria është partner i besueshëm i NATO-s

Më: 16 prill 2019 Në ora: 11:54
Ilir Meta

Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Meta zhvilloi një takim edhe me Dekanin e Kolegjit të Mbrojtjes, Dr. Stephen Mariano, i cili pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Meta, i bëri një prezantim të shkurtër rreth Kolegjit, të themeluar në vitin 1951, nga ish-Komandanti i parë, dhe “babai i NATO-s”, General Dwight D. Eisenhower. 

“Shqipëria garanton përmbushjen e përgjegjësive të saj, angazhimin, përkushtimin e solidaritetin në dobi të ‘mbrojtjes dhe sigurisë kolektive’ të çdo anëtari të NATO-s dhe të interesave strategjike të Aleancës”, theksoi presidenti Meta.

“Shqipëria është një partner i besueshëm i NATO-s dhe lider në të gjitha nismat rajonale, me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit”, shtoi kreu i shtetit.

Shqipëria, vijoi Meta, “është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal”.

Kolegji i Mbrojtjes së NATO-s, në Romë gjatë 68 viteve, ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimit e mendimit dhe leadership-it strategjik, për çështjet e politikave të sigurisë të vendeve të NATO-s, dhe jo vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat