Vjedhja e bagazheve/ Policia letër kompanive ajrore: Merrni masa, vendosni kamera në …

Shqipëria

Vjedhja e bagazheve/ Policia letër kompanive ajrore: Merrni masa, vendosni kamera në …

Më: 18 prill 2019 Në ora: 09:42
Rinas

Dy muaj pas kërkesës me shkrim drejtuar TIA-s për shtimin e masave të sigurisë në aeroport, Komisariati i Policisë së Rinasit u nisi nga një shkresë edhe kompanive ajrore. 

Edhe në këtë rast, Policia kërkonte që të merreshin masa, por kësaj here për sigurimin e bagazheve të pasagjerëve, për të cilat herë pas here kishte pasur ankesa se po vidheshin.

Në kërkesën drejtuar kompanive ajrore, Policia e Rinasit shprehej se merrte shkas nga ankesat e shumta, por edhe nga kallëzimet e disa pasagjerëve për vjedhje të sendeve me vlerë brenda bagazheve të tyre. Qytetarë të ndryshëm kishin denoncuar se çantat e tyre ishin hapur dhe u mungonin shuma të ndryshme parash, por edhe sende të çmuara.

Image
Faksimile e letrës drejtuar kompanive ajrore

Nisur nga këto rrethana, me arsyetimin se kërkohet një ambient sa më i sigurt për udhëtarët, më datë 2 korrik 2018, Policia e Rinasit kërkoi zyrtarisht bashkëpunimin e kompanive të fluturimit për të marrë në konsideratë këshillat policore në lidhje me marrjen e masave.

SHKRESA E POLICISE

Në letrën drejtuar kompanive ajrore, Komisariati i Policisë Kufitare të Aeroportit të Rinasit kërkon që në kuadër të bashkëpunimit dhe me qëllim rritjen e masave të sigurisë, të merreshin parasysh dy kërkesa që parashtroheshin nga ana e Policisë.

“Komisariati i Policisë Kufitare Aeroporti Rinas shpreh konsideratat më të larta për ju. Në kuadër të bashkëpunimit, si dhe me qëllim rritjen e masave të sigurisë në aeroportin ‘Nënë Tereza’, Rinas, për të pasur një ambient sa më të sigurt për udhëtarët që frekuentojnë këtë aeroport dhe kompaninë tuaj, duke marrë shkas nga kallëzimet dhe ankesat e qytetarëve të ndryshëm për vjedhje të sendeve me vlerë brenda bagazheve, raste këto të shtuara kohët e fundit, me qëllim parandalimin e këtyre vjedhjeve, kërkojmë nga ana juaj që të merren masat e nevojshme”, thuhet në letrën e Policisë. Ndërsa më poshtë renditen dy kërkesat që Policia i sheh të arsyeshme për parandalimin e vjedhjes së bagazheve.

MASAT E KERKUARA

Nga ana e Policisë Kufitare të Rinasit kërkohet që të merren masa për vendosjen e kamerave portative brenda “barkut” të avionit ku do të vendosen bagazhet, me qëllim monitorimin, parandalimin dhe dokumentimin e çdo vepre penale. Në rast se kjo nuk arrihet të realizohet, Policia kërkon një zgjidhje ku bagazhet të futen në kontenierë dhe të ngarkohen duke shmangur kontaktin e punonjësve me bagazhet.

“Sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj vlerësimin e kësaj problematike, si dhe marrjen e masave të nevojshme. Në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë nga ana juaj, ju falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin”, thuhet në letrën e Policisë, drejtuar kompanive ajrore.

Letrat e Policisë për TIA-n: Ka mangësi në siguri, merrni masa

Disa muaj para grabitjes së 9 prillit, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, Policia kishte paralajmëruar autoritetet e Aeroportit për problemet me sigurinë. Por nga ana tjetër, TIA, në përgjigjen e saj, kishte saktësuar se problemet e renditura nga Policia, ishin përgjegjësi e saj. Në dy komunikime me shkresa zyrtare, në shtator të vitit 2017 dhe në maj të vitit 2018, shefi i Komisariatit të Rinasit, Përparim Dema, kishte vënë në dijeni TIA-n për problemet e konstatuara me sigurinë. Për letrën e parë që Dema i ka adresuar Aeroportit, shkak ishte bërë një incident i ndodhur më 9 shtator 2017, kur një shtetas, Eduart Gega, kishte arritur të çante rrethimin e të depërtonte në pistë. Ai ka prerë rrjetën me pinca dhe ka arritur të ecë për rreth 150 metra në brendësi të pistës së avionëve. “Nga këqyrja e pamjeve filmike duket mungesa e ndriçimit artificial në zonë ku pista kufizohet me Komandën e Forcave Ajrore. Nga veprimet në tërësi na rezulton se përveç ndriçimit artificial, mungojnë sensorët e rrjetës së telit në perimetrin rrethues të pistës”, shkruhet në letrën e shefit të Komisariatit Rinas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat