Dëshmia e gruas së Admir Murataj: Nuk dija asgjë për të prej tre vitesh

Shqipëria

Dëshmia e gruas së Admir Murataj: Nuk dija asgjë për të prej tre vitesh

Më: 18 prill 2019 Në ora: 16:15
Vellai dhe gruaja e Admir Muratajt

Albana Alidhima, bashkëshortja e Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë pas grabitjes së ndodhur në pistën e avionëve më 9 prill, është marrë në pyetje nga grupi hetimor disa ditë pas ngjarjes.

Burime nga Policia thanë se dëshmia e saj pritej të ishte e rëndësishme, të paktën për të sqaruar vendet ku ka qëndruar apo personat, me të cilët ai është shoqëruar gjatë kohës që ishte person në kërkim. Megjithatë, edhe ajo, ashtu si kunati i saj, vëllai i Muratajt, kanë dhënë thuajse të njëjtën dëshmi para grupit hetimor.

Bashkëshortja e 47-vjeçarit mësohet të jetë shprehur se nuk e kishte takuar dhe as të kishte kontaktuar me të prej shumë vitesh. Madje, siç ka deklaruar ajo, që prej arratisjes së tij nga burgu i Trikallasë në vitin 2013, nuk kishte asnjë informacion se ku kishte qëndruar apo se me kë shoqërohej. Në këto rrethana, edhe dëshmia e saj nuk ka mundur të hedhë dritë rreth ndonjë personi të mundshëm, me të cilin Murataj mund të ketë bashkëpunuar gjatë grabitjes.

Hetimi

Në furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u sekuestrua nga Policia në vendngjarje, janë gjetur prova të rëndësishme që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve. Burime nga grupi hetimor thanë se janë ende në proces ekzaminimi disa gjurmë gishtash, si dhe po kryhen analizat kimike për mbetjet biologjike të fiksuara si prova në furgonin e grabitjes. Megjithatë, deri tani, ende nuk është arritur në një konkluzion nga ana e ekspertëve. Burimet thanë se brenda kësaj jave mund të ketë një rezultat të analizave që mund të hedhin dritë mbi bashkëpunëtorët e Admir Muratajt në grabitjen e 9 prillit.

Ekspertiza balistike

Në njoftimin e vetëm që Policia e Shtetit dha për grabitjen e ndodhur në aeroportin “Nënë Tereza”, shprehej se një nga autorët kishte mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë. Por edhe pse ky ishte një version zyrtar, ish-drejtues Policie, por edhe analistë të ndryshëm, hodhën dyshime se Admir Murataj mund të mos ishte vrarë nga Policia, duke drejtuar gishtin nga bashkëpunëtorët e tij. Edhe vëllai i tij, gjatë një prononcimi për mediat pas identifikimit të trupit në morg, i pyetur nga gazetarët nëse ka dijeni se si ka ndodhur vrasja, nëse e kishte vrarë Policia apo shokët e tij, nuk mundi të jepte një përgjigje konkrete. Megjithatë, do të jetë ekspertiza balistike që do të përcaktojë saktësisht autorësinë e vrasjes.

Furgoni i trete

Makina që u gjet e djegur në Bathore, është përdorur si karrem nga ndonjë bashkëpunëtor i jashtëm i grabitësve, për të devijuar kërkimet e Policisë. Në fakt, makina e dytë që u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi ku u përplasën me FNSH, ku dhe mbeti i vrarë Admir Murataj, u fsheh në një prej tuneleve në fshatin Dritas. Pasi u detyruan ta braktisnin të padjegur dhe me shumë prova brenda furgonin “Hetimi Tatimor”, grabitësit u larguan me një tjetër furgon që i priste nga ana tjetër e përroit. Ata u fshehën në tunel, ku dy ditë më parë Policia e gjetur furgonin e djegur. Ndërsa furgoni që u gjet ditën e ngjarjes në Bathore, është djegur që të shpërqendrojë Policinë, duke i drejtuar kërkimet në një zonë të ndryshme nga vendi ku ishin autorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat