"Audi" përplasi policinë në Elbasan, dëshmia e 4 efektivëve: Nuk e pamë kush na goditi

Shqipëria

"Audi" përplasi policinë në Elbasan, dëshmia e 4 efektivëve: Nuk e pamë kush na goditi

Më: 18 prill 2019 Në ora: 19:23
Elbasan

Gjykata e Krimeve të Rënda ka thirrur katër punonjës policie për të dëshmuar për përplasjen e makinës së policisë në qytetin e Elbasanit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2017. Punonjësit e policisë shpjeguan rolet e tyre ndërsa nuk dhanë detaje të ngjarjes, ndërsa mohuan të ketë konstatuar Suel Çelën në drejtimin e Audit që përplasi makinën e zv/drejtorit të policisë, Gjergj Oshafi.

Katër punonjës policie dëshmuan në gjykatë për sulmin ndaj makinës së zv/drejtorit të policisë së Elbasanit gjatë një operacioni në shtator të vitit 2017.

Oficerët Fadil Meta, Ylli Bici, Ervin Ballaci dhe Arben Belba, kanë rrëfyer pozicionin e tyre në aksion por asnjëri prej tyre nuk identifikoi personin që drejtonte makinën tip Audi. Efektivat e policisë deklaruan në gjyq se nuk kanë arritur ta identifikojnë të pandehurin Suel Çela dhe as i vëllain e tij Mario Çela, si drejtues të automjetit që goditi makinën e forcave të rendit.

Të pyetur nga prokuroria policët pohuan se kanë dëgjuar më shumë se 1 të shtënë arme, ndërsa nuk identifikonin se nga kanë ardhur apo se kush ka qëlluar pranë hyrjes së tregut agro ushqimor.

Policët e thirrur si dëshmitarë, gjithashtu pohuan se nuk kanë mundur të futen në brendësi të tregut pasi dera është mbyllur me shpejtësi, dhe se drejtuesi i makinës është larguar nga një portë tjetër e fshehtë që nuk është zbuluar nga policia.

Prokuroria kishte thirrur si dëshmitar edhe zv/drejtorin e policisë së Elbasanit në atë kohë, Gjergj Oshafi, i cili nuk ishte paraqitur për të dëshmuar.

Goditjen e makinës së policisë është shpallur në kërkim Suel Çela, i cili akuzohet për ‘Tentativë vrasje ndaj punonjësve të policisë”. Ai  dyshohet se drejtonte makinën Audi e cila në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes goditi makinën e policisë.  Për këtë ngjarje i akuzuar është edhe Enea Bektashi, që mbahet në arrest shtëpie dhe Kelmend Xhaferri, që ndodhet në burg, të cilët u përfaqësuan nga avokati Genc Gjokutaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat