Cilësia e mësimdhënies, studentëve u dërgohet “Sondazhi Kombëtar”

Shqipëria

Cilësia e mësimdhënies, studentëve u dërgohet “Sondazhi Kombëtar”

Më: 19 prill 2019 Në ora: 15:06
Foto

Të rinjve që ndjekin studimet e larta në Shqipëri u është dërguar në “e-mail” prezantimi me “Sondazhin Kombëtar të Studentëve”, i cili është një instrument matës mbi opinionet e studentëve në institucionet e Arsimit të Lartë.

Plotësimi i sondazhit do të bëhet në mënyrë anonime.

“Çdo student aktiv në Shqipëri ka mundësi që t’i përgjigjet sondazhit kombëtar të studentëve dhe të japë mendimin e tij për cilësinë e mësimdhënies, për mbështetjen institucionale dhe për mbështetjen që japin universitetet për studentët. Qëllimi i sondazhit është që të marrë një mendim makro mbi gjendjen e Arsimit të Lartë”, tha Elvin Gjevori, drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Afati i plotësimit të pyetësorit është deri më 2 maj, e më pas Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë do të përmbledhë të dhënat për të përçuar mendimin e studentëve drejt instancave përkatëse.

“Ne, gjatë të gjithë verës do të përpunojmë të dhënat dhe do të nxjerrim një raport të përgjithshëm për gjendjen e arsimit në Shqipëri, e më pas një raport të veçantë për të gjitha IAL-të në bazë të Fakulteteve që kanë. Në këtë mënyrë institucionet, Ministria dhe publiku do të dinë mendimet e studentëve dhe në mënyrë të strukturuar, bazuar në mendimet e studentëve do të adresojmë problemet”, tha Elvin Gjevori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat