Peticion për ndryshimin e sistemit zgjedhor, kërkohen lista të hapura

Shqipëria

Peticion për ndryshimin e sistemit zgjedhor, kërkohen lista të hapura

Më: 22 prill 2019 Në ora: 16:17
Pano Soko

Aktivistë të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e firmave për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Pano Soko shprehet se është emergjente kalimi në listat e hapura, duke u hequr të drejtën kryetarëve për të renditur kandidatët në zonën e mandateve të sigurta. Ai shprehet se është e domosdoshme që partitë tu kthehen qytetarëve, ashtu si dhe është emergjente ndryshimi i ligjit për referendumet.

Kërkesave të opozitës në parlament për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri i është bashkuar edhe shoqëria civile.

Nisma Thurje ka nisur të mbledhë firmat e zgjedhësve përmes të cilave do të kërkohet heqja e së drejtës të kryetarëve të partive për të renditur emrat e kandidatëve për deputetë.

Në projekt parashikohet që listat të jenë të hapura, ku mandatin do ta marrin ata kandidatë që marrin më shumë vota në qark.

Aktivisti, Pano Soko, në një intervistë për RTV Ora, thotë se ka ardhur momenti që shtetasit shqiptarë të vendosin vetë për përfaqësuesit e tyre.

Pano Soko: Është një peticion i cili ka në pikat e tij pikërisht rregullimin e sistemit elektoral, jo vetëm kodi elektoral, hapja e listave por edhe rregullimi i jetës brenda partive. Partitë këtu janë kthyer në prona, në shpk. Duhet të zgjedhim ne, ne që jemi ata të interesuarit, ne që do të qeverisemi, ne që paguajmë taksat, ne duhet të zgjedhim.

Soko shprehet se partitë politike duhet t’i kthehen qytetarëve dhe se është emergjente ndryshimi i ligjit për referendumet.

Pano Soko: Sot kemi një bllokim total të ligjit për referendume, ne nuk mund të bëjmë asnjë referendum, sidomos tani që nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese. Gjithë ky realitet duhet të ndryshojë, nga kush? Nga këta që janë nuk do të ndryshojë asnjëherë. Duhet të ndryshojë nga ne.

Deri tani, firmosja e peticionit do të realizohet në 2 pika në Tiranë, pranë zonës së ish-Bllokut dhe 21 Dhjetorit.

Më pas kjo nismë do të shpërndahet në të gjithë qytetet e Shqipërisë, për të arritur 20 mijë firma që do të bëjnë të mundur kalimin në procedurën parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat