Kushi: Kushtetuta është e shenjtë, nuk bëhet politikë me kushte apo ultimatume

Shqipëria

Kushi: Kushtetuta është e shenjtë, nuk bëhet politikë me kushte apo ultimatume

Më: 24 prill 2019 Në ora: 20:32
Evis Kushi

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi deklaroi sot se vendimi i opozitës për të lënë Kuvendin dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit është një vetëvrasje politike, një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe opozitarizmit në vend.

Në një intervistë televizive, deputetja Kushi tha se partitë politike duhet të mësohen se Kushtetuta është e shenjtë, teksa sqaroi se janë 40 parti politike që do marrin pjesë në zgjedhje, të djathta e të majta dhe kjo do të thotë se qytetarët kanë alternativë për zgjedhur.

“Në kampin socialist gjithçka vazhdon normalisht. Gjatë këtyre ditëve kam ndjekur zhvillimet në kampin opozitar. Më vjen keq ta pranoj që opozita me veprimin e djeshëm (nënshkrimin e marrëveshjes për të mos hyrë në zgjedhje) vijon rrugën e vet pa krye, duke bërë një vetëvrasje politike”, tha Kushi.

“Që në fillim, kur doli nga Kuvendi, opozita i dha një goditje jetës parlamentare në vend. Forcat e së djathtës kanë nënshkruar një marrëveshje ku theksojnë se s’do hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit”, shtoi ajo.

“Edhe kjo është një goditje e rëndësishme ndaj demokracisë dhe për opozitarizmin në Shqipëri, sepse po i mohojnë mundësinë qytetarëve për të zgjedhur përfaqësues të djathtë në këshillat bashkiak”, tha Kushi.

“Unë i lexova me kujdes 10 pikat, që rrotullohen rreth 3 çështjeve. Një nga pikat është dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, për të cilën ne kemi ngritur komisionin e reformës zgjedhore me qëllim reflektimin e problematikave të konstatuara nga OSBE, votimi elektronik dhe votimin e emigrantëve, të përfshin komisionet jo partiake. Ne kemi qenë, si mazhorancë, gjithnjë aty duke i bërë thirrje e duke pritur në tryezën e diskutimeve”, tha Kushi. “Në këtë komision opozita nuk mori asnjëherë pjesë në një vit e gjysmë. Këtej kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe këtej nuk bëjnë asgjë për këtë dhe nuk u paraqitën në këtë komision”, tha Kushi.

Deputetja socialiste tha se puna e Komisionit do të prekë zgjedhjet e ardhshme. ”Është e pamundur që ndryshimet të bëhen për këto zgjedhje, por ne kemi shtyrë afatin e funksionimit të këtij komisioni dhe i kemi lënë një vend dhe opozitës jashtë Kuvendit për të qenë pjesë e kësaj tryeze me të drejta të barabarta, dhe madje të ketë dhe veton për çështje të caktuara”, bëri të ditur Kushi.

Ajo shtoi se, nuk nuk ka pazar në tavolinë në Kushtetutës. “Por ama ne s’bëjmë pazare në tavolinë, që të jenë në kundërshtim me Kushtetutën apo me kërkesat e qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet politikë me kushte apo ultimatume”, tha Kushi.

“Partitë politike duhet të mësohen se Kushtetuta është e shenjtë. Është Bibla e demokracisë, nuk mund të bëjmë pazare. Demokracia ka ligje, Kushtetutë”, shtoi ajo.

Sipas saj, zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor dhe se në të do marrin pjesë 40 parti politike. “Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve më 30 qershor, janë 40 parti që marrin pjesë në zgjedhje dhe qytetarët nga këto parti të majta e të djathta do kenë më shumë alternativa për zgjedhur. Nga ana tjetër dua t’ju rikujtoj edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe së fundmi edhe zv/Ndihmës Sekretari Amerikan, z. Palmer, i cili i bëri thirrje opozitës të hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit”, tha Kushi.

Sipas saj, PS vijon normalisht kalendarin zgjedhor. “Ka nisur përgatitja për zgjedhje prej kohësh. Ka pasur mbledhje asambleje, vijon turi “Bashkia që duam”. Rutina parazgjedhore nuk është prekur. Kjo situatë na bën edhe më të përgjegjshëm për të realizuar detyrat tona. Në disa bashki është marrë vendimi. Është zgjedhur kandidati, ndërsa në fazën tjetër jemi në fazë sondazhesh për të përzgjedhur kandidatin tonë”, tha Kushi.

E pyetur për forcën e re politike të krijuar nga Astrit Patozi, Partia Bindja Demokratike, Kushi tha se “çdo forcë e re që krijohet është një lajm i mirë për demokracinë, sepse qytetarët kanë një alternativë më shumë për të zgjedhur. Liria e zgjedhjes do të thotë të kesh alternativa”, nënvizoi Kushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat