Ruçi me zv.presidentin e PE: Kemi bërë detyrat e shtëpisë, dekurajuese po s’u hapën negociatat

Shqipëria

Ruçi me zv.presidentin e PE: Kemi bërë detyrat e shtëpisë, dekurajuese po s’u hapën negociatat

Më: 25 prill 2019 Në ora: 09:07
Gramoz Ruçi me zv.presidentin e Parlamentit Europian, Fabio Massimo Castaldo

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti dje në një takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Fabio Massimo Castaldo, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Ruçi me zv.presidentin e Parlamentit Europian, Fabio Massimo Castaldo

Pjesë e diskutimit në takim ishte çështja e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ruçi, nga ana e tij, shprehu vlerësimin për mbështetjen e dhënë nga Parlamenti Europian në nxitjen e integrimit të Shqipërisë.

“Mbështetja për hapjen formale të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë, në Këshillin e Qershorit 2019, mbetet e një rëndësie të madhe për ne. Shqipëria është plotësisht e vetëdijshme për sfidat e brendshme, me të cilat ballafaqohet BE, e të cilat, pa dyshim, kanë ndikuar edhe te politika e zgjerimit. Shqipëria i ka bërë të gjitha ‘detyrat e shtëpisë’ për plotësimin e standardeve në pesë prioritetet kyçe që përcaktuan rekomandimet e Këshillit Europian dhe po vazhdojmë të përparojmë në zbatimin e reformave integruese, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dekurajimin dhe zvogëlimin e kërkesave të azilkërkuesve në të gjitha vendet e BE-së. Vendimi pozitiv i Këshillit në Qershor 2019 do të ishte një moment vendimtar për të treguar gatishmërinë e BE-së për të ruajtur dhe forcuar perspektivën tonë europiane, por edhe përkushtimin e BE-së ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, është shprehur Kryeparlamentari Ruçi gjatë takimit.

Krahas kësaj, Kryetari i Kuvendit ka theksuar se Bashkimi Europian duhet të ndjekë një politikë për dyert e hapura dhe se ngadalësimi i procesit integrues të Shqipërisë, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor, do ta ekspozonte këtë rajon ndaj ndikimeve të vendeve të tjera.

“Unë mendoj se Shqipëria, por edhe vetë BE, ka nevojë që vlerësimet pozitive të shumicës dërmuese të vendeve anëtare të mos errësohen dhe zhvlerësohen nga paragjykimet e veçanta dhe interesat e brendshme elektorale të forcave politike që nuk e kanë aq për zemër as zgjerimin e BE-së, as vetë BEnë. Një vendim negativ në qershor 2019 do të ngadalësonte procesin e integrimit të Shqipërisë dhe do të përcillte një mesazh dekurajues për vendin, shoqërinë dhe popullin tonë. Ngadalësimi i procesit mund të krijojë hapësira që mund të shfrytëzohen nga aktorë të jashtëm, që synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në rajon”, nënvizoi gjatë takimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat