Fuqizim i strukturave përkundër përdorimit dashakeq të platformave sociale

Shqipëria

Fuqizim i strukturave përkundër përdorimit dashakeq të platformave sociale

Më: 25 prill 2019 Në ora: 11:44
Ardi Veliu

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë punimeve të seminarit dyditor që po zhvillohet në Tiranë mbi përdorimin terrorist të teknologjisë, u ka bërë apel të gjithë prindërve të kenë kujdes me përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e fëmijëve të tyre, pasi është një nga burimet kryesore që nxisin aktivitete të tilla.

“Nga viti 2015, në platformat Twitter dhe Facebook janë shtuar ndjeshëm bllokimet e llogarive të lidhura me terrorizmin, duke ndihmuar kështu në uljen e aktivitetit të ekstremistëve”, tha Veliu.

“Analistët vlerësojnë se ekstremistët do të kërkojnë për një mix platformash online, ndaj fuqizimi  i strukturave tona me profesionistë të teknologjisë dhe informacionit, të krimit kibernetike, trajnimet dhe specializimet e agjentëve e specialistëve të anti-terrorit si dhe të agjencive të tjera ligj zbatuese do krijojë një ambient të pafavorshëm në Shqipëri për terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, theksoi Veliu.

“Bashkëpunimi i ngushtë i Policisë së Shtetit dhe i agjencive të tjera ligj zbatuese në Shqipëri me partnerët strategjikë ndërkombëtarë në luftë kundër terrorizmit është një tjetër faktor në disfavor të zhvillimit të terrorizmit në vendin tonë”, shtoi Veliu.

“Por pavarësisht këtyre faktorëve, apo punës parandaluese, lind nevoja për një marrëdhënie më të ngushtë mes Policisë dhe komunitetit të prindërve, me qëllim kontrollin e pandërprerë të fëmijëve për komunikimet onlinë në rrjetet sociale”, tha ai.

“Përfitoj nga rasti që të ftoj çdo prind, çdo të ri apo të re, çdo grup shoqëror që konstaton sjelle që çojnë në dyshime për përdorim të këtyre aplikacioneve me karakter terrorist, të kontaktojnë menjëherë me Policinë e Shtetit nëpërmjet numrit 112, aplikacionit Komisariati Dixhital, apo në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur që bashkërisht të ndërtojmë një ambient shoqëror sa më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë”, përfundoi Veliu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat