Balla: Zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor! PD po humb funksionalitetin

Shqipëria

Balla: Zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor! PD po humb funksionalitetin

Më: 26 prill 2019 Në ora: 10:53
Taulant Balla

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shpreh bindjen se zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor.

Sipas tij, zgjedhjet janë moment shumë i rëndësishëm për ecurinë e proceseve demokratike në vend.

“Populli do të zgjedhë 61 kryetarët e bashkive, përshëndes partitë konkurruese, në fund demokracia është i vetmi sistem ku partitë politike ftohen të konkurrojnë. Një parti që vendos të mos konkurrojë humbet funksionalitetin”, u shpreh Balla.

Lidhur me ndonjë plan të mundshëm për shtyrjen e afatit të regjistrimit për Partinë Demokratike, ai tha se respektimi i afateve dhe ligjit janë detyrime të çdo force politike dhe kjo gjë varet nga vetë drejtuesit e partive.

“Ajo që u them është e qartë, zgjedhjet do të zhvillohen, arsyeja pse PD është jashtë Kuvendit nuk ka të bëjë aspak me ne, por me faktin që Basha nuk do të marrë pjesë në zgjedhje se do pushtet në tavolinë, në demokraci nuk ka pushtet në tavolinë”, tha ai.

Deklarata e tij u bë duke folur sot pas një takimi që pati në selinë e PS, me Christian Schmidt, me raporterin për Shqipërinë të grupit parlamentar CDU/CSU.

Balla tha se prej 13 majit fillon një proces diskutimi në Bundestagun gjerman lidhur me vendimmarrjen e Komisionit Europian që ka të bëjë me vendimin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Pothuajse në të gjitha grupet parlamentare ka një shumicë mbështetëse inkurajuese për gjithçka ka arritur Shqipëria. Shqipëria qëndron më mirë në shumë sektorë në ecurinë e proceseve integruese, jo vetëm në krahasim me Maqedoninë por edhe në vende në proces negociatash, si Mali i Zi e Serbia, me sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit që lidhen me suksesin e pakthyeshëm të reformës në drejtësi. I kemi të gjitha shanset për të marrë sinjal pozitiv për përcaktimin e një date për fillimin e negociatave. Plani A është vijimi i reformave për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Taulant Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat