Miratohen pr.ligjet e Reformës në Drejtësi, Manja: Rrëmuja e rrugës nuk do eklipsojë punën për integrimin në BE

Shqipëria

Miratohen pr.ligjet e Reformës në Drejtësi, Manja: Rrëmuja e rrugës nuk do eklipsojë punën për integrimin në BE

Më: 26 prill 2019 Në ora: 18:12
Foto ilustrim

Komisioni i Ligjeve ka miratuar të gjitha projektligjet e Reformës në Drejtësi, me kalimin e ligjit “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”.

Kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaron se “rrëmuja e rrugës, mjegulla e fjalëve të përçarta, të pak njerëzve (të cilët mbeten edhe më pak çdo ditë që kalon) nuk mund të eklipsojë punën e madhe për të çuar përpara, pavarësisht gjithë pengesave, Reformën në Drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Ai thekson se “askush nuk mund të ndalë dot dëshirat dhe kërkesat e shqiptarëve për një shtet ligjor dhe për drejtësinë që u mungon prej dekadash”

“Nuk mund të shpreh veç krenarinë dhe empatinë për çdo qelizë të maxhorancës sime socialiste dhe progresiste në Kuvendin e Shqipërisë 2013-2019, që çdo votë të besuar nga shqiptarët, e ktheu në mbështetje të fortë e të pakompromis deri në fund në zbatimin e plot të Reformës në Drejtësi”, shprehet Manja ndërsa veçanërisht falenderon partnerët strategjikë, SHBA dhe BE, për bashkëpunimin thelbësor në këtë reformë ekzistenciale për vendin tonë dhe rrugën drejt integrimit.

“Një falënderim i veçantë shkon, për të gjithë armatën e njerëzve të ditur, shqiptarë dhe të huaj, në institucione apo shoqëri civile, profesorë, akademikë, ekspertë të drejtësisë, profesionistë të lirë të së drejtës apo studentë të drejtësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë që me mendjen dhe dorën e tyre, shkruan mijëra faqe me propozime konkrete, komente dhe sugjerime me vlerë për 30 ligje dhe 1 vendim (“Per Strategjinë e Edukimit Ligjor të Publikut në Republikën e Shqipërisë), nga të cilat 14 me shumicë të cilësuar, gjithsej 2.013 nene nga të cilat 674 nene të amenduara në ligjet ekzistuese dhe 1.339 nene të ligjeve të reja. Dhe siç e do zakoni, “ëmbëlsira” lihet për në fund: Një falënderim i thellë për të gjithë anëtarët e ish- Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, për kolegët e mi në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, stafin e palodhur të Keshilltarëve të Komisionit, median e cila ka siguruar transparencën për gjithë opinionin publik nga dita e pare deri sot dhe pa diskutim maxhorancën time socialiste në qeverisje, për mbështetjen me votë në Parlament të kësaj reforme”, përfundon Manja. /atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat