Shëndetësia, Basha zbulon sa do jetë paga minimale për mjekët dhe infermierët

Shqipëria

Shëndetësia, Basha zbulon sa do jetë paga minimale për mjekët dhe infermierët

Më: 27 prill 2019 Në ora: 14:05
Lulzim Basha

“Sistemi shëndetësor është në kolaps. Pasi t’u kthejmë pushtetin qytetarëve dhe ta heqim nga kthetrat e politikanëve të lidhur me krimin që mbajnë pushtetin me vota të blera, do të trajtojmë menjëherë dhe me prioritet problemet emergjente ne shëndetësi”.

Kështu thotë kryedemokrati Lulzim Basha, i cili zotohet se me ligjin antimafia Partia Demokratike do të anulojë PPP korruptive në shëndetësi që sipas tij, i vjedhin buxhetit 33 milionë euro çdo vit.

Basha thotë se çdo qindarkë e marrë në mënyrë korruptive do tu kthehet qytetarëve.

Ai detajon se programi i Partisë Demokratike për parashikon:

-Rritje të financimit të shërbimit shëndetësor, modernizim dhe decentralizim të tij.

-Pacienti të jetë i lirë të zgjedhë duke iu njohur pagesa e sigurimeve.

-Ndërtimin e ambienteve te reja spitalore dhe qendrave shëndetësore.

-Investimi në burimet njerëzore do të jetë prioriteti absolut.

-Paga minimale për mjekët do të arrijë në 1200 euro në muaj.

-Paga minimale për infermierët do të arrijë në 700 euro në muaj.

-Do të rrisim numrin e personelit duke nisur me një rritje të ndjeshme të numrit të studentëve që diplomohen në Mjekësi.

-Rritje të financimit për të rritur larmishmërinë e specializimeve dhe kualifikimeve dhe garantimin e kushteve të punës.

Më tej thotë se “Do të luftojmë mafien e ilaçeve, të instaluar nga Edi Rama sapo erdhi në pushtet. Qytetarët sot blejnë ilaçe të skaduara apo false që nuk kanë asnjë efekt në trajtimin e sëmundjeve”.

Basha zotohet se do të rikthehen barrierat mbrojtëse të standardeve europiane për sigurinë e ilaçeve dhe do të rritet lista e medikamenteve të rimbursueshme, duke synuar arritjen e mesatares europiane prej 2 mijë medikamentesh nga 440 që është sot dhe duke rritur vlerën e rimbursimit që sot është në masën 50-60% të vlerës.

Ai deklaron se “Ku ka vullnet politik, ka edhe mundësi”.

Në këtë linjë shton se paratë që shkojnë për korrupsionin, për PPP-të apo zhduken pa lënë gjurmë, plot 1.7 miliardë euro vetëm vitin e kaluar sipas KLSH, do të orientohen drejt sektorëve prioritarë, ku në mënyrë absolute shëndetësia është tek më prioritarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat