Kume: Regjistrimi i paligjshëm i "Bindjes" thirrje për të depolitizuar komisionet zgjedhore

Shqipëria

Kume: Regjistrimi i paligjshëm i "Bindjes" thirrje për të depolitizuar komisionet zgjedhore

Më: 27 prill 2019 Në ora: 21:30
Kristaq Kume

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, thotë se regjistrimi i partisë Bindja Demokratike si subjekt zgjedhor nga KQZ në mospajtim të hapur me ligjin është një fakt akoma më shumë në mbështetje të domosdoshmërisë për ndërtimin e administratës zgjedhore, përfshirë edhe KQZ, jo me përfaqësues të partive politike.

Kume thotë se komisionerët aktual  janë "te kapur" nga partia që i propozon deri në masën sa arrijnë edhe deri në mohimin profesional të vetes.

"Në raportet dhe rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë por jo vetëm, nevoja për të ndërtuar një administratë zgjedhore sa më pak të ndikueshme nga partitë politike theksohet në mënyrë të veçantë. Tre raportet e fundit e theksojnë këtë nevojë duke e renditur rekomandimin përkatës ndër rekomandimet prioritare" shton Kume në një postim në facebook.

Sipas Kumes, angazhimi për zbatimin e këtyre rekomandimeve është i domosdoshëm nëse duam që të hedhim një hap më përpara drejt objektivës për të zhvilluar zgjedhje demokratike.

"Natyrisht edhe nëse bëhet ky ndryshim ai do të jetë vetëm një zhvillim që megjithë vlerën dhe efektin e madh që mund të ketë, nuk mjafton. Por duhet bërë me patjetër, ndryshe kot që harxhohen energji për rregulla më të mira ligjore".

Ish-kreu i KQZ-së nënvizon se administrata e ndërtuar në bazë të propozimeve të partive politike, si tregon edhe ky vendim i fundit i KQZ-së, më shumë se sa angazhohet për të zbatuar ligjin, kujdeset që vendimi i saj të jetë i përputhur me interesin e partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat