Çfarë janë sistemet zgjedhore dhe llojet e tyre

Shqipëria

Çfarë janë sistemet zgjedhore dhe llojet e tyre

Nga: Isa Myzyraj Më: 28 prill 2019 Në ora: 06:43
Ilustrim

Në vendin tonë së fundmi një ndër debatet më të forta politike, është debati për sistemin zgjedhor.

Duket se të gjitha palët tanimë janë të pakënaqura, nga marrëveshja Berisha-Rama në 2009, ku vendosën ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Sistemi zgjedhor sipas marrëveshjes së famshme të 2009, do të bënte që kryetari i partisë politike të ketë një fuqi të madhe, por u dha një goditje të fortë partive të vogla politike, shumica e të cilave nuk mund të kalonin pragun elektoral.

Në historinë e pluralizmit të Shqipërisë, janë aplikuar deri më tani 4 lloje të sistemeve zgjedhore.

Në zgjedhjet e para të datës 31 mars 1991 u aplikua sistemi mazhoritar i zgjedhjeve. Pas këtyre zgjedhjeve, është aplikuar sistemi i përzier mazhoritar me dy raunde, dhe prej këtij sistemi dilnin 100 deputetë dhe nga sistemi proporcional dilnin 40 deputetë. Më pas është aplikuar sistemi i përzier me mazhoritar të thjeshtë për 100 deputetë dhe proporcional për 40 deputetë. Pas marrëveshjes së famshme të 2009, në Shqipëri u vendos sistemi proporcionla rajonal.

Por cilat janë sistemet zgjedhore dhe si ndahen ato?

Autorë të shumtë të sistemeve zgjedhore kanë shkruar e shpjeguar se si mund të ralizoheshin zgjedhet demokratike.

Sistemet zgjedhore ndahen në dy lloje: Sistemi proporcional, dhe mazhoritar.

Të dy sistemet e lartpërmendura, kanë edhe ndarjet përkatëse të tyre.

Sistemi proporcional nënkupton, se përqindja e votave që fiton një parti politike në nivel shtetëror, përkthehet proporcionalisht në përqindje të vendeve të fituara në parlament.

Në këtë sistem kandidatët për deputetë renditen në listën e partisë në një numër rendor, dhe futja e tij në kuvend varet pikërisht nga numri që ai mban në listë. Vendi ndahet në zona zgjedhore, dhe nëse partia si logo, fiton 50 përqind të votave në rang vendi, atëherë ajo do të marrë përafërsisht 50% të vendeve në kuvend.

Sistemi proporcional ka edhe dy nëndarje të tjera.

Sistemi proporcional me listë dhe Sistemi proporcional i votës së vetme të transferueshme.

Sistemi proporcional me listë është një sistem zgjedhor kur partia politike rendit vetë kandidatët dhe i prezanton ato sipas dëshirës së saj.  Në fletën e votimit votuesit votojnë, partinë politike. Specifikë e veçantë e këtij sistemi është se shtetet vendosin një prag elektoral. Në këtë sistem, mund të arrihet edhe marrëveshje që listat të jenë të hapura ose të mbyllura. Në rastin e listave të mbyllura, nëse në një zonë zgjedhore do të dalin 10 deputetë, partia i rendit 10 kandidatë nga 1 deri tek 10, ndërsa zgjedhësit votojnë vetëm partinë. Ndërsa në rastin e listave të hapura, partia vendos 10 kandidatë, por zgjedhësit, votojnë partinë ndërsa ata kanë mundësinë që mes 10 kandidatësh të vendosin vetë renditjen e kandidatëve për deputetë.

Sistemi proporcional i votës së vetme të transferueshme, është sistemi ku zgjedhësi bën renditjen preferenciale të kandidatëve në zonën e tyre zgjedhore. Zgjedhësi, mund të rendisë sipas dëshirës së tij kandidatët.

Ajo që e dallon këtë sistem është numrimi i votave dhe formula nga e cila kandidati fiton mandatin e tij.

Kështu, pas përfundimit të numërimit të votave sipas preferencave të para, del numri total i votave për secilin kandidat. Nëse kandidati, ka fituar një numër X votash më shumë ose barazim, me një kuotë të papërcaktuar, ai do të fitojë mandatin.

Kuota në këtë rast llogaritet sipas një formule të quajtur Droop.

Formula Droop është:

Kuota=[votat e vlefshme në zonën zgjedhore/ (numrin e vendeve +1)]+1

Pasi kalohet kjo procedurë, vijon numërimi i votave për të gjithë kandidatët që nuk e kanë kaluar kuotën. Në këtë proces të dytë të numërimit, merren votat shtesë të kandidatit i cili tanimë ka fituar mandatin, dhe i kalohen preferencave të dyta të zgjedhësve. Por, edhe në këtë rast, procesi është i ndërlikuar, pasi numërimi i votave shtesë bëhet sipas një përqindje funksionale të një vote.

Nësë asnjëri nga kandidatët e një partie nuk ka arritur të kalojë kuotën, atëherë eliminohet kandidati që ka më pak vota, dhe votat e tij shpërndahen tek kandidatët e tjerë.

Sistemi mazhoritar

Sistemi mazhoritar, ndryshe nga sistemi proporcional ka 5 ndarje të tij.

1-Sistemi mazhoritar relativ, përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vende të tjera.

Në këtë sistem, vendi ndahet në zona një-emërore. Në fletët e votimit është i shënuar emri i kandidatit, dhe në përfundim të procesit të numërimittë votave, fiton mandatin kandidati që ka më shumë vota.

2- Sistemi mazhoritar i votës alternative

Në këtë sistem, zgjedhësi voton kandidatin e tij të preferuar, por  rendit kandidatët e tjerë të preferuar duke nisur me numrin 1.

E veçanta e këtij sistemi është përsëri tek numërimi i votave. Që një kandidat të jetë fitues në këtë sistem, ai duhet të marrë shumicë apsolute të votave.

3-Sistemi mazhoritar apsolut

Në këtë sistem në shumicën e rasteve zgjedhjet bëhen me dy raunde, pasi për të dalë fitues në zgjedhje një kandidat duhet të marrë 50+1% të votave. Nëse në raundin e parë kandidojnë 3 kandidatë dhe asnjëri nga to nuk arrin të fitojë 50+1% të votave, atëherë në raundin e dytë dalin 2 kandidatët që kanë më shumë vota nga raundi i parë, dhe fiton kandidati që ka më shumë vota.

4-Sistemi mazhoritar i votës në bllok

Ky sistem është krejtësisht ndryshe. Vendi do të ndahet në zona shumë-emërore dhe zgjedhësi do të ketë aq fletë votimi, sa është numri i kandidatëve që dalin nga kjo zonë. Për shembull: Kukësi, ka 4 mandate në tërësi. Një zgjedhës kuksian, në zgjedhje do të ketë përballe 4 fletë votimi. Por votuesi mund të përdorë aq vota sa ai të dojë.

5-Sistemi mazhoritar i votës bllok të partisë

Në këtë sistem, zgjedhësi ka të drejtën e vetëm një vote. Ai do të ketë përballë listat me  kandidatët e partive të ndryshme, ai do të zgjedhë listën që të dëshirojë. Por, në fund të procesit, partia e cila ka marrë më shumë vota, do të fitojë të gjitha mandatet në atë zonë zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat