Samiti i Berlinit, Mesi: Kemi ecuri pozitive të reformave

Shqipëria

Samiti i Berlinit, Mesi: Kemi ecuri pozitive të reformave

Më: 30 prill 2019 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Deputetja e Partisë Socialiste, ish-zv.kryeministrja Senida Mesi ka theksuar të martën gjatë një interviste për Report Tv se, Samiti i Berlinit i zhvilluar të hënën ka konfirmuar trendin pozitiv të reformave të ndërmarra nga vendi ynë.

Sipas saj, pesë kushtet kanë njohur zhvillim pozitiv. “Duhet të lexojmë faktet, pasi ato mbesin përtej fjalëve që thuhen dhe hidhen. Të hënën u zhvilluan disa takime të rëndësishme në Gjermani dhe më pas patëm konferencën e përbashkët të Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron. Në deklaratën e përbashkët u shpjegua rëndësia e këtij samiti dhe pse vinte në këtë moment. Nga njëra anë Gjermania tregon edhe një herë vëmendjen e saj ndaj problemeve të Ballkanit dhe sigurisë në rajonin tonë. Dhe nga krahun tjetër kemi lajmin se, Franca do të rifillojë angazhimin konkret ndaj vendeve të Ballkanit pas tërheqjes që ka pasur që nga viti 2000”, – tha Mesi.

“Edhe në takimi dypalësh të z. Rama dhe znj. Merkel, edhe në postimin e bërë nga Komisioneri i Zgjerimit Hahn është deklaruar një ecuri pozitive për reformat e ndërmarra nga vendet e BE dhe kryesisht Hahn ka përmendur në detaje Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Reforma në Drejtësi, – tha Mesi, – ka pasur dhe fokusin më të lartë gjatë takimit mes znj. Merkel dhe Ramës”.

“Hahn theksoi se do kërkoi çeljen e negociatave, pasi është vlerësuar ecuria pozitive nga qershori shkuar, deri më tani. Nëse dikush nuk do ta shohë, është problem i atij që s’do të shohë. Ka ecuri pozitive në Reformën e Administratës Publike, ka ecuri pozitive për Reformën në Drejtësi, ka ecuri pozitive për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu dhe lufta për të drejtat e njeriut ka njohur ecuri pozitive. Kanë mbaruar reformat? Jo, s’kanë mbaruar. Ka ende punë dhe për këtë ne duam mbështetjen e BE”, – shtoi Mesi.

“Holanda? Këtë duhet ta shohim në dy dimensione, çështjen e brendshme të vendit në fjalë dhe së dyti, çfarë është kërkuar nga Shqipëria. Çfarë është kërkuar nga Shqipëria është realizuar dhe kjo është konfirmuar se kemi ecur pozitivisht në drejtim të reformave që na janë kërkuar dhe këtu s’kemi çfarë diskutojmë. Më pas është kriza politike ku gjenden disa vende në politikën e tyre të brendshme. Sot kemi vende me parti shumë më shumë nacionaliste se më parë, shumë më shumë populiste dhe Parlamenti Europian është në prag të zgjedhjeve dhe kjo i nxit këto vende dhe këto parti të ndërmarrin nisma të tilla. Pyetja që ka rëndësi në këtë momentështë: A i kemi bërë detyrat e shtëpisë? Komisioni Europian thotë po, janë bërë dhe Komisioneri Hahn thotë po. Nuk them unë apo qeveria, por e thonë edhe zyrtarët e lartë të BE-së dhe komisionet përkatëse që bëjnë vlerësimin”, – tha Mesi.

Deputetja Mesi është shprehur se zgjedhjet e 30 qershorit do të realizohen. “Të ulemi dhe të dialogojmë me opozitën jemi të gatshëm. Në një tryezë të tillë, pavarësisht se kush e thërret, por ne nuk negociojmë. Nuk mundet lideri opozitës të kërkojë se kush do jetë kryeministër. Këtë e vendos Kuvendi me votim dhe mazhoranca nuk vendos se kush do të jetë kryetari i opozitës, atë e zgjedh vetë partia që është në opozitë. Ne nuk i themi opozitës ‘aman hyni në zgjedhje, se po largohet Rama’. Kjo është negociatë. Ne kemi dy sfida: të sigurojmë zgjedhjet të qeta, të ndershme dhe transparente. Ne nuk zgjedhim se cila do të jetë opozita që do marrë pjesë në zgjedhje, ne i japim të drejtë qytetarëve të votojnë ditën kur është dekretuar nga Presidenti i Repuplikës dhe që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin. Në zgjedhje do të jenë 41 parti, do ketë aleanca. Dhe më duhet të them se nuk është arrogancë të mbrosh zbatimin e ligjit”, tha Mesi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat