Meta: Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese

Shqipëria

Meta: Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese

Më: 30 prill 2019 Në ora: 21:28
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar hapur se do të ishte i gatshëm të sulmonte ashpër opozitën për vendimin e tyre për largimin nga parlamenti nëse në Shqipëri do të kishim një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Në një intervistë për TvOra, Meta ka deklaruar se mungesa e gjykatës Kushtetuese është një problem kritik dhe serioz për vendin, pasi krijimi i saj është vonuar me të paktën dy vite.

Meta: Këtu një problem serioz ka qenë dhe mbetet mungesa e Gjykatës Kushtetuese, problemet e mëdha të sistemit gjyqësor që në bindjen time nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme jashtë dialogut politik dhe në mungesë të respektit, parimeve kushtetuese dhe afateve kushtetuese, për krijimin në kohë të institucioneve që do ta kishin evituar një situatë të tillë. Më duhet të theksoj, për hir të së vërtetës dhe problemit që është krijuar se unë kam qenë kundër vetingut për Gjykatën Kushtetuese, kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi. Kam patur shqetësimin që mund të kemi një situatë, ku të kemi një anëtar që ka mbaruar mandati, po qoftë edhe 2-3 të mungojnë nuk është pak për një trup kaq të kufizuar dhe me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese. Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo interesin publik. Unë në pozitën time si kryetar i Kuvendit jam kujdesur që gjithçka të shkonte perfekt  me shortin e KED në dhjetor 2016, por edhe si President në përpjekjen time për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe për të shmangur çdo situatë ekstraligjore për krijimin e KED, kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe për fat të keq kemi humbur më shumë se dy vjet dhe për këtë unë nuk e fajësoj dot opozitën. Në rast se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të besueshme unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri integrimit evropiane. Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin që Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk dua të them kush janë. Presidenti ka bërë përpjekjet që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës që është votuar me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat