Murataj, pa certifikatë vdekjeje. Prokuroria s’ka çuar ende provat në gjykatë

Shqipëria

Murataj, pa certifikatë vdekjeje. Prokuroria s’ka çuar ende provat në gjykatë

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:24
Foto

Ka dështuar sërish seanca gjyqësore ndaj Admir Muratajt, i hetuar edhe për 3 grabitje të tjera të dhunshme. Teksa pritet që kjo çështje të pezullohet, gjyqtari i dosjes Klodian Kurushi kërkoi prova shtesë, që vërtetojnë se shtetasi që u vra pas grabitjes së 9 prillit është Admir Murataj.

Gjyqtari kërkon edhe certifikatën e vdekjes, si dhe raportin e Mjekësisë Ligjore, të cilat nuk kanë mbërritur ende në zyrën e prokurorit të dosjes. Ndërkohë gjatë ditës, familjarët e Admir Muratajt, përmes avokatit të tyre dorëzuan një kallëzim penal në Gjykatën për Krimet e Rënda, ku kërkojnë të kryhen hetime shtesë për të gjetur se kush e vrau 47-vjeçarin.

“Ka një dyshim të arsyeshëm, të bazuar në prova, që mundet edhe punonjës të Policisë së Shtetit ta kenë qëlluar me qëllim për ta vrarë. Pra kërkojmë hetimin e forcave të policisë”, tha Arbër Hoxhaj, avokat i familjes Murataj.

Në kallëzimin penal kërkohen veprime hetimore për të saktësuar edhe veprimet e Policisë së Shtetit.

“Mund të ketë edhe vrasje me dashje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme. Këtë duhet ta zbulojë hetimi”, tha më tej avokati Arbër Hoxhaj.

Nga ana tjetër, familjarët e Ragip Hajdinit, të arrestuarit të 6 mbi grabitjen e 9 prillit, u shfaqën dhe kanë pretendimet e tyre.

“Klienti im synon të zbardhë të gjithë të vërtetën, se ky nuk është pjesë e kësaj ngjarjeje”, tha avokati Mirash Ndoci.

I biri, Dardan Hajdini, i pyetur mbi faktin që i ati ka qenë i dyshuar edhe për një ngjarje tjetër në Kosovë, e gjithashtu edhe për një grabitje tjetër në Shqipëri, tha:

“Nuk është e vërtetë”.

“Është i pafajshëm, për Kosovën është i pafajshëm dhe do t’iu sjellim dokumente po të jetë e nevojshme”, tha i vëllai i Ragipit, Mustafa Haxhihajdini.

Për grabitjen e armatosur në Aeroportin e Rinasit, policia vazhdon të kërkojë persona të tjerë, mes të cilëve edhe Klement e Eldi Çalën, të dyshuar si organizatorë dhe si bashkëpunëtorë në rrëmbimin e mbi 5 milionë eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat