Samiti i radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, më 8 dhe 9 maj në Tiranë

Shqipëria

Samiti i radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, më 8 dhe 9 maj në Tiranë

Më: 4 maj 2019 Në ora: 18:41
Tiranë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, organizon më 8 dhe 9 maj në Tiranë, Samitin e radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit.

Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale bashkëthemeluar nga Presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.

Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Europës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Kjo nismë ka shërbyer si forum i rëndësishëm i nivelit më të lartë politik për nxitjen e dialogut, bashkëpunimit, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Një tregues domethënës e jetik për vende tona ka qenë mbështetja e vazhdueshme që drejtues të lartë evropianë dhe amerikanë i kanë dhënë këtij Procesi.

Në mbyllje të Samitit, Liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat