Grida Duma tregon strategjitë: Situatë krize, opozita po rrezikon shumë, por…

Shqipëria

Grida Duma tregon strategjitë: Situatë krize, opozita po rrezikon shumë, por…

Më: 4 maj 2019 Në ora: 18:49
Grida Duma

E ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ ish-deputetja e PD, Grida Duma komentoi strategjinë e opozitës lidhur me situatën politike në vend, për të cilën tha se nuk është një situatë e zakontë, por një situatë krize. Duma tha se opozita po rrezikon shumë, po rrezikon të dalë jashtë sistemit, me qëllim për të ndërtuar sistemin.

“ Padyshim nuk mund të shpikim rrotën në këto kushte. Unë mendoj që dukeqenëse opozita i dogji mandatet, sa i përket ekstremitetit të aksionit të vet e ka kryer, që në momentin që ka djegur mandatet, ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme duke marrë përsipër të krijojë një situatë të jashtëzakonshme, sa i përket llojit të aksionit politik. Djegia e mandateve surprizoi dhe shokoi situatën politike. Nuk ka shumë risi në javët që do të vijojnë, sepse nuk ka edhe shumë mundësi për risi përvec se paraqitjes së një platforme dhe vijimit me protesta. Për një arsye të thjeshtë, sepse për sa kohë bëhet fjalë për 30 qershorin zgjedhje vendore, të cilat nuk do të kryhen dhe nuk mund të kryhen pa opozitën dhe pa rregullat e lojës që po kërkon gjysma e popullsisë normalisht nuk mund të diskutojmë për  axhenda të tjera. Në këto kushte, protesta, revolta popullore janë ajo që do të ndjekë në javët që vijojnë” u shpreh Duma.

Në vijim ish-deputetja demokrate, komentoi edhe mungesën e saj në aktivitetin ku kryedemokrati Basha shpalosi platformën e qeverisë tranzitore për zgjedhje të lira, mungesë për të cilën tha se përkoi me ditën e protestës së bllokimit të rrugëve nëpër qarqe ndaj edhe nuk pati shumë deputetë të pranishëm, për shkak të detyrave organizative. Duke u ndalur në platformën në fjalë, Duma tha se të gjitha pikat e platformës janë të realizueshme, nëse do të ketë vullnet.

“Duhet theksuar më shumë ndëshkueshmëria. Nuk mund të shkojmë në cilat do zgjedhje pa dhënë 3-4 shembuj ndëshkueshmërie. Për të dalë nga cepi ku Rama është vendosur, Rama thotë duhet të ndëshkojmë ata që do të tentojnë të cënojnë zgjedhjet. Patjetër, duhet të bësh pikërisht këtë. Pikërisht këtë po kërkojmë, por ja ta bësh këtë kur të vijnë zgjedhjet e vjedhura,ta bësh këtë sepse të janë vjedhur zgjedhjet.” -vijoi më tej Duma.

Ndërsa foli për zgjidhjet për të dalë nga kjo krizë politike, Duma tha se nuk ka zgjidhje nga kjo krizë pa dialog.

“ E kemi cuar debatin a thua se do zgjidhet situata mes dy skuadrave luftëtare me pushkë. Jemi në politikë, PD do të mbajë dhe ka mbajtur përgjegjësinë për ta zgjidhur situatën duke mos krijuar asnjë tension, përtej mjeteve demokratike. Ne jemi sot në një situatë ku jemi duke luftuar qoftë edhe me ambjentin ndërkombëtar për ta kuptuar se institucionet farsë nuk prodhojnë gjë tjetër përvec se kriza. Dhe ky është gjithë debati parimor që ne kemi” – theksoi Duma.

“Atëherë cfarë po bëjme ne? Po dalim jashtë sistemit për të ndërtuar sistemin. Ne nuk kemi për të qenë ndonjëherë absolutisht me përgjegjësinë mëkatare që do të shkaktojmë dëme për vendin. Padiskutim që opozita po rrezikon shumë, gjithçka po rrezikon është plotësisht e sakrifikuar. Përballet me qartësinë e situatës me ndërkombëtarët. Përballet me qytetarët që me të drejtë thonë ju bëtë inekstremis, dolët nga parlamenti nuk po na përfaqësoni më, na jepni zgjidhje, përballet me padurimin e njerëzve për largimin e një qeverie që i ka rrënuar dhe i ka larguar nga Shqipëria. Dhe kur i thua që nga shkurti deri tani, mirëkuptoni që ishim në një situatë ku mendohej se Rama nuk lëvizte kurrë. Kemi ardhur në një situatë që gjithçka po diskutohe është kush është lëvizja që do të bëhet për të shpëtuar Ramën. Se kaq po bën Rama, kush është lëvizja për të shpëtuar veten, sepse tashmë i shpëtuar nuk është më. Opozita është në mes të një zjarri ku të gjithë po presin nga ajo maksimizimin e këtij aksioni” -tha Duma, ndërsa shtoi se në sistem do të kthehen padiskutim përmes zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat