Greminger: Reformat të vazhdojnë me kontributin e deputetëve të rinj në parlament

Shqipëria

Greminger: Reformat të vazhdojnë me kontributin e deputetëve të rinj në parlament

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:40
Pamje nga takimi

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger deklaroi sot që reforma zgjedhore dhe reformat e tjera duhet të vazhdojnë me kontributin e deputetëve te rinj në parlament.

Deklaratën Greminger e bëri gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Greminger përshëndeti rifillimin e punës së komisionit të reformës zgjedhore, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve të rinj të opozitës, të cilët po plotësojnë vendet ne Kuvend.

Sekretari i Përgjithshëm Greminger falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Ruçi për bashkëpunimin e ngushtë dhe produktiv midis Shqipërisë dhe OSBE dhe nënvizoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet gjate presidencës shqiptare të OSBE në 2020.

Aktualisht, po bashkëpunohet për përcaktimin e prioriteteve të Presidencës shqiptare te OSBE për vitin 2020.

Ruçi e falenderoi Sekretarin Greminger për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë, për marrjen e kryesisë së OSBE-së në 2020 dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Sekretariatin dhe institucionet e OSBE-së, si ODHIR, Komisionerin Lartë për Minoritetet, Përfaqësuesin mbi Lirinë e Medias dhe në mënyrë të veçantë për gatishmërinë e ODIHR-it për të monitoruar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Shqipëria është e nderuar që do marrë këtë detyrë të rëndësishme, do të vijojë të jetë e angazhuar në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në takim ishin të pranishëm Kryetari i grupit Parlamentar të PS,  Taulant Balla, deputeti Fate Velaj dhe Ambasadori i Shqipërisë në Misionin e OSBE-së Igli Hasani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat