Zgjedhjet vendore, KQZ thirrje komisionerëve të jenë pjesë e trajnimit

Shqipëria

Zgjedhjet vendore, KQZ thirrje komisionerëve të jenë pjesë e trajnimit

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:41
Drilona Hoxhaj

KQZ i ka bërë thirrje sot komisionerëve të jenë pjesë e trajnimit dhe të respektojnë me korrektësi axhendën e tij.

Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj në një deklaratë për mediat është shprehur sot se, “në datat 8 dhe 9 Maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon trajnimin e komisionerëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor në të gjithë vendin”.

“Kalendari i trajnimit i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të KZAZ-ve dhe trajnimi do të zhvillohet në selitë e KZAZ-ve përkatëse nga trajnues të cilët janë trajnuar nga KQZ. Të gjithë komisionerët janë informuar nga KQZ për datat dhe orën e trajnimit, dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”, ka deklaruar Hoxhaj.

Sipas saj, “gjatë trajnimit, komisionerët do të ushtrojnë në praktike  mënyrën e plotësimit të dokumentacionit, si dhe do të pajisen me material dhe dokumentacion informues e udhëzues për ushtrimin e detyrës së tyre, si manuale, udhëzime, vendime të KQZ-së, e të tjerë”.

“Trajnimi i komisionerëve ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mënyrën e administrimit të procesit, veçanërisht për 51 KZAZ-të që do të kryejnë procedurat e regjistrimit të kandidatëve për organet e qeverisjes vendore (Kryetar Bashkie dhe Këshill Bashkiak)”, është shprehur Hoxhaj.

Sipas zëdhënëses së KQZ, “në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kandidatët për kryetar bashkie dhe kandidatët për këshillat bashkiak, kanë detyrimin të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit (formularin e dekriminalizimit) në KQZ”.

Vlen të theksohet se, sipas KQZ, “pavarësisht se në 51 KZAZ do të dorëzohen dokumentet e kandidimit, formulari i vetëdeklarimit do të dorëzohet në KQZ. Ndërkohë, të gjithë organizatat vendore dhe ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve, janë të ftuara të monitorojnë procesin e trajnimit të komisionerëve të KZAZ-ve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat