Rrëzimi i shkarkimit të rektorit, Shahini-Metës: Haptazi në mbështetje të shkelësit të ligjit

Shqipëria

Rrëzimi i shkarkimit të rektorit, Shahini-Metës: Haptazi në mbështetje të shkelësit të ligjit

Më: 7 maj 2019 Në ora: 17:47
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në reagimin pas refuzimit të shkarkimit të rektorit Mynyr Koni nga Presidenti, e cilësoi vendimin si mbështetje të hapur të shkelësit të ligjit.

“Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e rektorit Koni. Për mua është e pakonceptueshme që institucionet e larta shtetërore të marrin vendime të tilla, qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit. Në rastin konkret, vendimi i Presidentit i bën dëm 26.000 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, të cilët për herë të parë pas disa vitesh në një ngërç absurd që e ka kthyer universitetin në shembullin e mosfunksionimit ligjor e demokratik, përjetuan një moment normaliteti ligjor dhe demokratik”, tha Shahini.

Më tej, ministrja sqaroi se “Presidenti i Republikës, në dekretin e tij shpjegon se vendimi im për pezullimin e rektorit cenon autonominë universitare. Po të ishte kështu, nuk do të më lejohej me Ligjin e Arsimit të Lartë të pezulloj rektorin në raste të shkeljeve të rënda ligjore, të cilat janë dokumentuar jo me një, por me dy raporte të grupeve të inspektimit në terren”.

Më 13 prill ministrja e Arsimit, Besa Shahini, pezulloi nga detyra rektorin e UT-së, Mynyr Konin. Tri javë më vonë, Presidenti Ilir Meta e rrëzoi vendimin e ministres, duke e rikthyer Konin në detyrë.

Ndërkaq në një prononcim për mediet, Koni tha se vazhdon detyrën si rektor. “Ashtu siç u shpreh edhe Presidenti në relacionin përkatës, ai mbrojti autonominë e Arsimit të Lartë si dhe lirinë akademike. Nga ana ime nuk do të ketë asnjë ngërç, unë jam i hapur dhe do të bashkëpunoj vazhdimisht me Ministrinë dhe çdo institucion”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat