Aeroporti, rekord fitimesh/ Deklaron fitim pothuajse gjysmën e xhiros

Shqipëria

Aeroporti, rekord fitimesh/ Deklaron fitim pothuajse gjysmën e xhiros

Më: 8 maj 2019 Në ora: 14:58
Foto

Në kulmin e përplasjes me qeverinë për treguesit ekonomik të koncesionit, Aeroporti i Rinasit ka vendosur një rekord të ri fitimesh.

Të dhënat nga bilanci zyrtar i dorëzuar në QKR, tregojnë se gjatë vitit të kaluar fitimi bruto i kompanisë kërceu në 48.5 për qind e xhiros duke u konfirmuar kështu si një nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga bilanci, për vitin 2018, Tirana International Airport arkëtoi 6.4 miliardë lekë nga tarifat dhe shërbimet e tjera aeroportuale, nga të cilat 3.1 miliardë lekë ose rreth 25 milionë euro shkuan si fitim bruto për kompaninë.

Ndërsa pas pagesës së taksave, fitimi neto i kompanisë për vitin e kaluar rezultoi rreth 20 milionë euro, pjesa dërrmuese e të cilave janë shpërndarë si dividentë për aksionerët.

Prej vitesh aeroporti i Rinasit është një nga bizneset më fitimprurëse në Shqipëri për shkak të monopolit absolut mbi fluturimet ajrore. Pas ankesave të vazhdueshme nga qytetarët për çmimet e larta të biletave, vitin e kaluar qeveria shqiptare pajtoi një auditim të pavarur për treguesit ekonomik të koncesionit.

Auditimi i kryer nga BDO Albania konkludoi se në periudhën 2004-2017, kompania koncesionare ka fituar 85 milionë euro më shumë nga sa parashikohej në skenarin bazë të koncesionit.

Pas këtij auditimi, qeveria i ka kërkuar kompanisë që fitimi i tepërt t’i kthehet buxhetit të shtetit ose qytetarëve përmes uljes së tarifave. Por kompania e refuzoi kërkesën duke mos e njohur raportin e auditimit. Pak ditë më parë, qeveria autorizoi avokatin e shtetit që të pajtojë një konsulent ndërkombëtar për ta këshilluar në konfliktin financiar me koncesionarin e Rinasit dhe nëse palët nuk do të gjejnë marrëveshje, gjasat janë që çështja të shkojë në arbitrazh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat